Mehaj: Rikonfirmuam mbështetjen e Kosovës për Ukrainën
BKT
Lajme

Mehaj: Rikonfirmuam mbështetjen e Kosovës për Ukrainën

F. Sertolli / RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë me dije se sot në Selinë e NATO-s në Bruksel janë duke zhvilluar takimin e radhës në kuadër të Grupit të Kontaktit në Mbrojtje të Ukrainës, i cili drejtohet nga Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd J. Austin III.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë këtij takimi edhe një herë kanë rikonfirmuar mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe përkushtimin për ruajtjen e paqes në rajon dhe më gjerë.

“Në margjina të kësaj ngjarje kemi takuar edhe homologët tanë nga vende të ndryshme si dhe jemi takuar me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg me të cilin ndër tjera diskutuam edhe për situatën e sigurisë në Kosovë”, ka thënë Mehaj.

Po ashtu ai ka thënë se Republika e Kosovës është krahë për krahë me mbi 50 shtete të cilat mbështesin Ukrainën në të drejtën e saj të patjetërsueshme.


MË SHUME NGA Lajme