Pas sulmit të djeshëm të ekipit të RTK-së në Zveçan, policia jep detaje
BKT
Lajme

Pas sulmit të djeshëm të ekipit të RTK-së në Zveçan, policia jep detaje

F. Sertolli / RTKlive

Të enjten mbrëma në Zveçan u sulmua vetura e ekipit të Transmetuesit Publik, Radio Televizionit të Kosovës – RTK.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ka bërë të ditur ekipi i gazetarëve të RTK-së kishin parkuar automjetin e tyre në Komunën e Zveçanit dhe se kur janë kthyer tek vetura e tyre kishin vërejtur se disa persona të dyshuar ua kishin thyer veturën.

Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 20:00 në Zveçan.

Polica thotë se personat e dyshuar ua kishin dëmtuar tre gomat e veturës, u kanë thyer xhamat e saj dhe janë vjedhur targat e veturës.

“Zveçan, 15.06.2023-20:00 Ekipi i gazetarëve të RTK kishin parkuar automjetin e tyre, dhe kur ishin kthyer te vetura kishin vërejtur se nga person-a të dyshuar u janë dëmtuar 3 gomat e veturës, janë thyer xhamat e  saj dhe janë vjedhur targat e veturës”, thuhet në raport.

Ndërkaq, lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Ndryshe, të enjten përderisa ekipi i RTK-së po raportonte nga Zveçani, vetura është sulmuar e dëmtuar, duke ia thyer xhamat dhe shpërthyer gomat.

Ekipi i njëjtë është penguar edhe paradite nga protesutesit, të cilët u kanë krijuar vështirësi gjatë raportimit.


MË SHUME NGA Lajme