S’ka justifikime, Shqipëria duhet mundur Moldavinë
BKT
Sport

S’ka justifikime, Shqipëria duhet mundur Moldavinë

RTSH

Kombëtarja shqiptare nuk mund të kërkojë dhe nëse e bën nuk do të gjejë asnjë alibi, Moldavia është sfida kyç, kundërshtari që në letër është pozicionuar si skuadra që duhet mundur.

Kur në Nyon shorti e vendosi skuadrën kuqezi përballë ekipit modest që përfaqëson pjesën më ekstreme të kufijve të Ballkanit lindor, të gjithë ferkuan duart por tashmë ka ardhur momenti që Shqipëria ta tregojë edhe me fakte në fushën e lojës që 3 pikët duhen merituar në katërkëndëshin e gjelbër dhe brenda 90 minutave.

Mungesat e shumta mund të ndikojnë pjesërisht por Sylvinho nuk ka dashur të dëgjojë nga ai vesh sepse për të rëndësisë ka karakteri që skuadra duhet të tregojë në fushë e ai duhet të jetë i hekurt.

Nëse një shqetësim ekziston në kokën e brazilianit, ai lidhet me gjendjen e fushës së “Arenës Kombëtare” dhe këtë ai e tregoi me gjeste edhe në seancën stërvitore të së mërkurës. Ekipi që ka në kokë e qarkullon topin në mënyrë sistematike dhe kjo është filozofia e thjeshtë që trajneri kuqezi ka për futbollin por në një fushë në gjendje jo të mirë, misioni bëhet më i vështirë.

Gjithsesi, përtej gjendjes së tapetit të gjelbër apo mungesave me peshë si Broja, Gjasula, Kumbulla apo Balliu, të shtunën në orën 20:45 Shqipëria ka misionin e vështirë për t’u rikthyer në lojë pas disfatës me lojën e bukur dhe bindëse të Polonisë.

Ky është momenti për të hipotekuar pikët e plota, në të kundërt situata në grupin E ku Moldavia e ka bërë tashmë një surprizë me Çekinë, mund të komplikohet, ndërsa bileta Euro 2024 rrezikon të griset që në nisjen e eleminatoreve.