Kurti e Livia Leu flasin për raportet Kosovë-Zvicër
BKT
Lajme

Kurti e Livia Leu flasin për raportet Kosovë-Zvicër

F. Sertolli / RTKlive

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Prespës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një takim me Livia Leu, Sekretaren e Shtetit të Federatës së Zvicrës, me të cilën ka folur mbi raportin mes dy shteteve, gjegjësisht marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Me këtë rast, kryeministri shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës.

“Në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i mërgatës shqiptare në Zvicër, si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe mundësinë që ajo paraqet për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Tutje vazhdon njoftimi se lidhur me situatën aktuale në vend, Kurti riktheksoi kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer, pasi ky veprim është një akt i agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, teksa përsëriti nevojën për deeskalim dhe normalizim të situatës.

Në këtë drejtim, kryeministri Kurti nënvizoi propozimin e tij për deeskalim të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, të paraqitur ditën e hënë dhe nevojën për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Tutje, duke falënderuar Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës, kryeministri Kurti shtoi që komunat ende kanë nevojë për zhvillim dhe njëkohësisht kërkoi që të ketë edhe më shumë mbështetje në vazhdimësi. Ai gjithashtu falënderoi edhe për kontributin e Zvicrës në KFOR nëpërmjet Sëisscoy.

Në takim, ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.


MË SHUME NGA Lajme