Kurti ngushëllon familjet e viktimave në Lepenc
F. Sertolli / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me aksidentin që ka ndodhur të shtunën mbrëma në lumin Lepenc në Shkup, ku kanë humbur jetën tre qytetarë të Kosovës.
Kurti ka ngushëlluar dy familjet e viktimave, ndërsa qytetarit të mbijetuar nga ky aksident i ka uruar shërbim të shpejtë dhe forcë për t’u përballur me dhimbjen e humbjes së prindërve dhe vëllait të tij.
“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
“Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllait të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre”.
Kurti tutje ka thënë se ngjarje të tilla si kjo “prekin thellë secilin prej nesh”.
“Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka shkruar Kurti.























