Begaj pret në takim Ambasadoren Kim
BKT
Shqipëri

Begaj pret në takim Ambasadoren Kim

RTSH

Presidenti Bajram Begaj ka pritur në takim këtë të martë (20 qershor) Ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit diplomatik të saj në Shqipëri.

Në takimin me dyshes, Begaj vlerësoi rolin dhe angazhimin e ambasadores Kim në Shqipëri në avancimin e reformës në drejtësi, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes e të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Po ashtu, Begaj falënderoi Ambasadoren për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj në vendin tonë, për angazhimin në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, dhe rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri. 

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike. 

Duke çmuar marrëdhëniet e ngushta e njerëzore që Ambasadorja krijoi me shqiptarët në të gjitha krahinat e vendit, si dhe duke i uruar suksese në detyrat e angazhimet e ardhshme profesionale, Presidenti Begaj shprehu besimin se Ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.


MË SHUME NGA Shqipëri