Gazetarët kërkojnë kushte dhe siguri për punën e tyre
M.Miftari/ RTKlive
Komisioni për media mban seancë dëgjimore me gazetarët e lënduar gjatë raportimit nga veriu i Kosovës.
Në seancë dëgjimore me gazetarët e lënduar, duke raportuar për ngjarjet në veri, kanë kërkuar siguri dhe kushte për gazetarë për të kryer misionin e tyre, raportimin për ngjarjet.
Ndërkaq kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani, deklaroi se ata që po krijojnë trazira në veri, po tentojnë t’i fshehin nëpërmjet dhunës ndaj gazetarëve.
Gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj ka folur për ngjarjen që ka ndodhur në veri të vendit, në Leposaviq, kur janë sulmuar nga huliganë serbë, derisa ata po protestonin para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit
Xhoxhaj që në fillim tha se ne, si gazetarë jemi të përkushtuar të informojmë opinionin për atë se çfarë po ndodhë, derisa shtoi se do të ishte mirë që gazetarëve e kameramanëve t’u krijohej një mundësi më e mirë pune.
Ajo falënderoi policët për bashkëpunim në dhënien e ndihmës së parë, ndërsa shtoi se edhe ata ishin të kërcënuar sa edhe vetë gazetarët.
“Policia e Kosovës ka bërë të pamundurën duke na çuar në spitalin e Mitrovicës së jugut,duke bërë dhjetëra kilometra rrugë nga Leposaviqi, rrugë malore me plot rreziqe për të na dërguar në spitalin e Mitrovicës në jug”, tha Venera Xhoxhaj, duke falënderuar me këtë rast edhe personelin mjekësor të spitalit.
Në fund të fjalës së saj, Xhoxhaj falënderoi për mesazhet e shumta në mbështetje të punës së saj, duke filluar nga Zyra e Kryeministrisë, por edhe nga asociacione të ndryshme.
E nga ana e tij, Bardh Bekteshi,kameraman, të cilit protestuesit serbë ia kanë thyer krahun, tha që duke qenë i Mitrovicës është një ndjenjë jo e mirë, derisa je në mesin e tyre pa ndonjë siguri të ofruar.
Duke falënderuar Komisionin për ftesën e bërë për të informuar për ngjarjen e ndodhur në Leposaviq, dhe asociacionet tjera për mbështetjen e dhënë, Bekteshi tha se ajo që keni parë duke më ther kamerën ka qenë vetëm një pjesë nga e gjithë ngjarja që ka ndodhur atje.
Ndërkaq Pleurat Salihu, gazetar, rrëfeu ngjarjen se si ka ndodhur në ditën kritike në Leposaviq.
Ai në fillim tregoi se si ishte duke biseduar me një gazetar të TëVë 1,befas ishte ofruar një qytetar serb i cili me një anglishte të dobët ka pyetur për një gazetar të vdekur në ambasadën e Arabisë, që për të ishte një pyetje provokative.
Më tej ai tregoi se si ka kontaktuar me komandantin e KFOR-it slloven, i cili ia ka përmendur emrin e ish-kryetarit të Leposaviqit, pastaj ka ardhur komandanti i KFOR-it hungarez.
Pastaj tregoi ngjarjen se si komandanti i KFOR-it kishte pyetur ish-kryetarin e Leposaviqit nëse do ta siguronin daljen e ministrit Krasniqi, ndërsa ai kishte thënë se do të jenë të qetë. Më tej ai tha se si ishin shkuar te çadra (tenda), dhe tre persona na kanë detyruar të largohemi prej çadrës, duke na provokuar me fjalë të ndryshme.
Gazetari Salihu tha se me daljen nga ndërtesa e ministrit Krasniqi, Simiq nxiti protestuesit të gjuanin në drejtim të gazetarëve, ku janë lënduar disa gazetarë, kameramanë, por edhe vet ai, duke kërkuar ndihmë nga Njësia Speciale.
Sipas tij, ideatori i këtij sulmi është Sllavko Simiq, derisa bëri të ditur se kishte dëgjuar duke biseduar me një nga protestuesit, i cili kishte përmendur se kanë armë me vete.
“Na ka shpëtuar Zoti dhe Njësia Speciale, se ata, protestuesit, kishin planifikuar të hynin brenda në ndërtesë të komunës”, tha gazetari Pleurat Sejdiu.























