Ferronikeli rinis prodhimin| Video
BKT
Lajme

Ferronikeli rinis prodhimin| Video

Arbresha Berisha / RTK

Pas gati dy vitesh ka rinisur prodhimin kompania metalurgjike “NewCo Ferronikeli” në Drenas. Kjo kompani e kishte ndërprerë prodhimin në tetor të 2021-s për shkak të krizës energjetike.

Punëtorët e saj ngritën shqetësime se gjatë dy viteve mezi kanë arritur t’i përballojnë shpenzimet familjare. Derisa pronari i Ferronikelit u shpreh se kanë bërë investime në kompani dhe se presin që në të ardhshmen të ketë qëndrueshmëri në prodhim.

Për më shumë se një vit e gjysmë, rreth 800 punëtorë të kompanisë metalurgjike “NewCo Ferronikeli’ në Drenas, mezi ia dolën t`i përballojnë shpenzimet familjare.

Për shkak të krizës energjetike, kjo kompani kishte ndërprerë prodhimin në tetor të vitit 2021, ndërkaq atë e rinisi tek këtë muaj.

Punëtorët prapa kamerës ngritën shqetësime në lidhje me rrezikun që përballen gjatë punës, derisa kërkuan paga më të larta.

Ndërkaq, udhëheqësit e kompanisë premtuan qëndrueshmëri në prodhim, si dhe rritje të numrit të punëtorëve.

“Për një periudhë të gjatë u ulëm dhe ndërtuam një strategji se si mund ta forcojmë këtë kompani dhe punuam fort që sot të jemi këtu dhe ta rihapim. Sapo erdhëm, direkt filluam me investime për të ringritur prodhimin, për çështjet e energjisë elektrike, efiçiencës dhe rinovimit të teknologjisë”, tha Cemil Acar, drejtor i përgjithshëm i fabrikës sw “Ferronikelit”.

“Ndërkohë që vazhdojmë prodhimin, jemi të vetëdijshëm për sakrificën, mundin dhe punën e punëtorëve tanë. Dhe ndërkohë që rritet volumi e puna, si dhe aktivitetet tona, me kënaqësi duam që edhe numrin e punonjësve nga sot 800, ta bëjmë mbi 1500-2000 punëtorë, pse jo dhe më tepër”, Mehmet Sefket, shefi i metaleve në kompaninë turke “Yildirim Group”.

Sipas ambasadorit të Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç, shteti turk do të jetë partneri më i rëndësishëm në aspektin ekonomik.

“Turqia do të vazhdojë të jetë partneri më i rëndësishëm i Kosovës nga ana ekonomike, dhe investimet e “Yildirim” janë shembulli më i mirë që tregon kontributin e Turqisë në Kosovë”, Sabri Tunç, ambasadori i Turqisë në Kosovë.

Ndërkaq, ministri  i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha Kosova është një hap më afër ringjalljes së sektorit të minierave.

Me gjithë ndërprerjen e përkohshme të punës, fabrika gjatë vitit të kaluar ua kishte paguar punonjësve 50% të pagës mujore.


MË SHUME NGA Lajme