Kurti: Të angazhuar në përballimin e pasojave të vërshimeve
M.Miftari/RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ngjarjen tragjike në Pejë, ku, si pasojë e vërshimeve, kanë humbur jetën djali 5-vjeçar dhe nëna e tij.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë”, është shprehur kryeministri Kurti përmes rrjetit social Facebook, duke shtuar se humbja e jetëve nga familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë, teksa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, shprehu ngushëllimet më të sinqerta dhe të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme”, ka shkruar kryeministri Kurti .























