Mehaj: Ngritja e kapaciteteve të sigurisë kibernetike përbën prioritet
F. Sertolli /RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes nga ana e Departamentit të Komunikimit dhe TI-së me përfshirje e të gjitha institucioneve po realizohet punëtoria dyditore për identifikimin e kurrikulës lidhur me nevojat për ngritjen e kapaciteteve të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.
Ai me këtë rast ka thënë se në kohën kur sulmet hibride nga Rusia dhe shtete të tjera me tendenca ekspansioniste janë forma më e shpeshtë e luftës karshi shteteve demokratike, ngritja e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike përbën prioritet.
“Si bartëse e procesit për ndërtimin e Qendrës për Siguri Kibernetike, Ministria e Mbrojtjes së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme do të përcaktojnë procedurën dhe formatin e programeve të specializuara për trajnime dhe certifikime të personelit të angazhuar në fushën e sigurisë kibernetike në përputhje me kompetencat që ushtrojnë”, ka thënë ministri Mehaj.
Përveç trajnimeve të specializuara në siguri kibernetike, siç tha Mehaj, kjo Qendër trajnuese do të ofrojë edhe ushtrime praktike për të gjitha institucionet qeveritare, ofruesit e shërbimeve digjitale dhe operatorët e shërbimeve esenciale.























