Organizatat terroriste, Hoxha: Financohen e mbështeten nga Serbia
BKT
Lajme

Organizatat terroriste, Hoxha: Financohen e mbështeten nga Serbia

M.Miftari/RTKlive

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që organizatat Mbrojtja Civile e Brigada e Veriut ,të shpallen si organizata terroriste, avokati Asdren Hoxha vlerësoi si vendim të guximshëm e të pritshëm, në shtrirjen e sovranitetit, por një vendim që është në kundërshtim të plotë me Perëndimin që kërkon të ulen tensionet në veri.

“Si do të reflektojë kjo, se çfarë do të ngjajë më tutje, mbetet një pikëpyetje e madhe, mendoj se kjo është një punë shtesë për Gjyqësorin e Kosovës, ngase në ato organizata kanë marrë pjesë një numër i madh i njerëzve në forma të ndryshme”, deklaroi avokati Hoxha, derisa shtoi se ndërkombëtarët, duke heshtur ndaj këtij vendimi të qeverisë, sikur janë pajtuar me këtë.

Tutje, ai shtoi se nga vendimi në zbatim është goxha një punë e vështirë.

Avokati Hoxha më tej tha se veprimtaria e këtyre organizatave është ditur, vetëm se ka munguar korniza ligjore për t’u shpallur organizata terroriste.

“Çdo veprim duhet menduar mirë që të mos ketë pasoja në njerëz”, deklaroi, mes tjerash, avokati Hoxha, në “Lajmet e fundit”, në RTK.

Ndërkaq për karakterin e funksionin  e këtyre organizatave të shpallura si terroriste, avokati Hoxha tha se bëhet fjalë për organizata të lidhura ngushtë me shtetin e Serbisë, prej nga financohen e mbështeten.

“Kapja e tyre në terren është goxha sfidues”, sqaroi Hoxha, derisa shtoi se Kosova ka drejtë në shtrirjen e sovranitetin e saj, por disa veprime nuk i kontribuojnë paqes, sikur ky vendim i sotëm. Është e drejtë e Kosovës në shtrirjen e sovranitetit, por me një lloj rreziku të hapur i një konflikti të armatosur që mund të fillojë në veri”, deklaroi avokati Hoxha, derisa shtoi se Policia e Kosovës ka punuar shumë gjatë për këtë ditë.


MË SHUME NGA Lajme