Kosova, pjesë e konferencës së nivelit të lartë për siguri kibernetike
M.Sh/RTKLive
Republika e Kosovës ishte pjesëmarrëse e konferencës së nivelit të lartë për siguri kibernetike e organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Regjional (RCC) në bashkëpunim me Komisionin Evropian. Në konferencën e mbajtur në Bruksel mori pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, dhe këshilltari i kryeministrit për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu.
Dobra ishte pjesë e panelit ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u diskutuan progresi, sfidat dhe nevojat në arritjen e një hapësire kibernetike të qëndrueshme. Ai theksoi synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për digjitalizim në shkallë të gjerë dhe përkushtimin që një digjitalizim i tillë të bëhet në hapësirë kibernetike të sigurt, njofton Qeveria e Kosovës.
Në këtë aspekt, Dobra ka thënë se Republika e Kosovës ka miratuar ligjin e ri për siguri kibernetike, i cili parasheh themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, dhe ka finalizuar strategjinë për siguri kibernetike që është në proces të aprovimit.
“Hapësira kibernetike nuk njeh kufij, dhe sulmet kibernetike lehtësisht mund të përhapen nga një shtet në tjetrin”, ka deklarua Dobra, i cili ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim dhe për shkëmbim të përvojave me shtetet mike në fushën e sigurisë kibernetike.
Ndërkaq, Jagxhiu, i cili mori pjesë në panelin “Qasja mbarëshoqërore në fuqizimin e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët të të gjithë akterëve, duke përfshirë qeverinë, sektorin privat dhe akademinë në ngritjen e qëndrueshmërisë kibernetike të vendit.
Jagxhiu veçoi krijimin e grupit punues gjithëpërfshirës për siguri kibernetike në infrastrukturë kritike si një shembull të mirë të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive në kuadër të ekosistemit nacional të sigurisë kibernetike. 























