Ibrahimi mirëpret vendimin e Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në AKK
BKT
Lajme

Ibrahimi mirëpret vendimin e Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në AKK

B. Halimi | RTKlive

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në këtë asociacion.

Ai në një lidhje direkte në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK, ka thënë se para disa ditësh kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i ka dërguar një shkresë Asociacionit të Komunave të Kosovës për anëtarësim dhe më pas ky asociacion i ka dërguar letër kryetarit Atiq për ta njoftuar për procedurat që duhet ndjekur për anëtarësimin e komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

“Në atë letër drejtuar kryetarit Atiq ne e kemi njoftuar atp që Kuvendi Komunal duhet ta marrë vendimin për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Sot, ky organ e ka marrë këtë vendim. Tash në bazë të legjislacionit në fuqi të gjitha vendimet duhet të dërgohen në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal, ajo e shikon ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal për anëtarësim në AKK. Besoj se gjithçka ka qenë në rregull dhe shumë shpejtë kjo ministri do t’ia kthejë përgjigjen pozitive komunës së Mitrovicës së Veriut dhe pastaj kjo kërkesë nga komuna me shqyrtim të ligjshmërisë do të vjen në AKK, ku do të shqyrtohet kërkesa dhe do të merret vendimi final për anëtarësim”, theksoi Ibrahimi.

Ai tha se anëtarësimi në këtë asociacion nuk është obligativ, por është në vullnetin e komunave që të marrin vendimin për anëtarësim dhe duke qenë pjesë e këtij asociacioni përfitimet janë të mëdha.

Ai tha se janë të hapur për të gjitha komunat e republikës, duke përfshirë edhe tri komunat e tjera në veri, teksa e vlerësoi këtë asociacion si është shtëpi të njëmend të komunave.

“Ky mekanizëm i mbron interesat e autoriteteve lokale, punon dhe vepron në emër të komunave dhe besojmë se iniciativa të tilla do të kemi edhe nga komunat e tjera. Çdo anëtarësim është i mirëseardhur”, shtoi Ibrahimi.

Sa i përket mundësisë që një vendim i tillë i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut të pezullohet në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Ibrahimi ka thënë se deri më tash nuk ka pasur vendim të kuvendeve komunale për tërheqje nga anëtarësimi në këtë asociacion.

Aktualisht pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës janë 34 komuna.


MË SHUME NGA Lajme