Albert Dabiqaj largohet nga SC Gjilani
BKT
Sport

Albert Dabiqaj largohet nga SC Gjilani

B. H. | RTKlive

Mesfushori i deritashëm i Gjilanit, Albert Dabiqaj ka njoftuar sot ndarjen me klubin gjilanas. Ai ishte pjesë e SC Gjilanit që prej vitit 2021, kur u transferua nga Feronikeli.

26-vjeçari ka falënderuar tifozët, bashkëlojtarët dhe presidentin e klubit, Florim Zuka për përkrahjen gjatë këtyre dy sezoneve.

“Të nderuar qytetarë të Gjilanit që më dhatë aq shumë respekt e dashuri në momentin që erdha te SC Gjilani! Të dashur bashkëlojtarë që në ditët më të vështira u bëmë bashkë për të çuar klubin në nivelet më të larta, tifozë që gjithmonë na përkrahët, president Florim Zuka që gjithmonë ishe afër, faleminderit që më besuat që të jemi bashkë për këto dy vite! Dy vite që dhashë gjithçka nga vetja ime, dy vite me shumë sfida  e sakrifica por mbi të gjitha  ndjehem krenarë që po largohem me kokën lartë duke lënë pas vetës shumë djersë e angazhim”, ka shkruar Dabiqaj në Facebook.

Ai tutje ka thënë se profesioni i futbollistit është i tillë që gjatë karrierës bën që të ndryshosh ambient.

“Po përfundoj një kapitull të karrierës time me SC Gjilanin me shumë krenari. Klubit dhe të gjithë njerëzve afër klubit ju dëshirojë shumë suksese në të ardhmen. Nga nesër dua të mendoj që të hap një kapitull të ri në karrierën time”, ka shkruar tutje Dabiqaj.