Vetura e mbushur me armatim dyshohet se i përket shefit të Civilna Zastita
BKT
Foto: RTK
Lajme

Vetura e mbushur me armatim dyshohet se i përket shefit të Civilna Zastita

M.Sh/RTKlive

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 29 qershorit, i shpalli organizata terroriste dy formacione serbe që veprojnë në veriun e Kosovës, “Civilna Zastita” (Mbrojtja Civile) dhe “Severna Brigada” (Brigada e Veriut). Menjëherë pas këtij vendimi pasoi reagimi ndërkombëtarë se vendimi i Qeverisë nuk është i koordinuar me aleatët. Sot, mediet në Kosovës raportojnë se automjeti që u gjet në afër komunës së Zveçanit i mbushur plot me armatim, i përket Stevan Paviçeviqit, shef i organizatës Mbrojtja Civile.

RTK ka pyetur Policinë e Kosovës nëse kanë informacione se kujt i përket saktë automjeti Audi A6 me targa të Beogradit, por ata thanë se “informata shtesë nuk kanë përveç atyre që i ka thënë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në konferencën për media”.    

“I gjithë ky armatim ka ardhur nga Serbia. Vetura është pronë e Shoqërisë Aksionare - Hekurudhat e Serbisë”, ka thënë Sveçla, i cili në konferencën për media tha se dihet se kujt i përket edhe me emra vetura.

Madje sipas Sveçlës, armët që janë gjetur në Audi-në me targa BG janë armë terroriste, si eksploziv dhe municioneve të ndryshme, Zolla, Osa, armë automatike e sasi e konsiderueshme e municionit.“Të gjitha këto mjete ishin me qëllim të realizimit të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai në konferencën për media.

Agjencia Kosova Pres raporton se automjeti i përket shefit të CZ, nga vitit 2016, madje publikoi edhe dokumentin në emrin e tij.Kujtojmë se më 29 qershor, Qeveria e Kosovës i ka shpallë terroriste dy organizatat  “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim merret duke u bazuar në vlerësimet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, bazuar në këto vlerësime, formacionet civile ‘Mbrojtja Civile’ (Civilna Zashtita) dhe komponenta e saj ’Brigada e Veriut’ (Severna Brigada), paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikë së Kosovës. Kryeministri Kurti ka përmendur veprimet që janë ndërmarrë nga këto grupe, si sulme ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve tjerë.

“Sulmet ndaj qytetarëve e ushtarëve të KFOR-it, shkaktimi i rrezikshëm ndaj pronës publike e private, detyrimi në marrjen pjesë në protesta të dhunshme, janë veprimet e ndërmarra nga këto grupe. Niveli i rrezikut prej tyre është i lartë dhe institucionet janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve dhe parandalimit të pasojave”, ka thënë Kurti.Mirëpo, pas këtij vendimi reaguan institucionet ndërkombëtare, duke quajtur këtë si vendim të pakoordinuar. E në Serbi thanë se armët që janë zënë në veri janë “fabrikim”.

Por kush janë “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Në një konferencë për medie vite më parë, Vuçiq pati thënë se “Brigada e Veriut” është një grup tifozësh të klubit futbollistik Crvena Zvezda. ”Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës”, kishte deklaruar presidenti serb.

Por, ajo çka dihet tashmë është se emri i këtij grupi terrorist është pothuajse në çdo cep e qosh të rrugëve të veriut. Ndërsa “Mbrojtja Civile”, që po ashtu u shpall organizatë terroriste nga Qeveria, kishte dalë publikisht në vitin 2011.

RTK ka raportuar edhe më herët për këtë organizatë. Atëkohë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Mbrojtja Civile”, janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë. Shuarja e “Mbrojtjes Civile” ishte paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por, këto kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.

Njohës të çështjeve të sigurisë në Mitrovicë, kanë thënë se këto organizata që nga paslufta kanë paraqitur rrezik për qytetarët e pjesës veriore.


MË SHUME NGA Lajme