Kurti: Masat e BE-së janë të përkohshme
F.S / RTKlive
(I plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish i ka quajtur të përkohshme masat e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke i vlerësuar njëherësh këto masa si të padrejta.
Kurti me këtë rast ka thënë se disa masa edhe kanë filluar që të zbatohen, duke përmendur anulimin e vizitave.
“Janë paralajmëruar masa të cilat disa edhe janë zbatuar. Bëhet fjalë edhe për anulim të vizitave. Masat janë të padrejta për bindjen time. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që t'i kalojmë ato kredi e grande në vlerë prej 149 milionë euro që nuk kalojnë pa 2/3-tat në Kuvend. Ne kemi ngujim aktual brenda që mund ta kalojmë bashkë”, tha kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.
Po ashtu, ai, ka bërë të ditur se janë identifikuar 45 persona që bëjnë pjesë në dy organizatat e shpallura terroriste nga Qeveria javën e kaluar, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
“Deri më sot janë identifikuar 45 persona. Është identifikim i saktë që ata kanë marrë pjesë në sulme dhune ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, por edhe që kanë përdorur armë”, tha Kurti, duke shtuar se opinioni veçse e ka parë se çfarë armatimi u konfiskua me 23 qershor.
Qytetarë serb, siç tha ai, janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve, që na dërgojnë informacion çdo herë kur vepron ligji.
“Kemi parë numër, fakte e dëshmi se bëhet fjalë për organizata terroriste. Nëse nuk do t’i shpallnim do të bënim shkelje dhe dëm”, tha Kurti.
Ai ka thënë se me BE-në është në kontakt të përditshëm.
“Dje kam biseduar me Borrellin dhe me ndërmjetësin Lajçak. Jam interesuar edhe për shpërkallëzim, edhe për normalizim, që nënkupton sundim të ligjit ose edhe bandat të shkojnë në Serbi”, tha Kurti.
Nisin punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë
(I plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar punimet e zgjerimit të Rrugës Nacionale N25, Prishtinë-Podujevë. Kjo rrugë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase, pra të shpejtë e të sigurte, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë.
“Tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm pra jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë udhëtarëve, pasi siç veçoi ai, këto vitet e shkuara kemi pasur shumë aksidente me fatalitet”, theksoi Kurti.
Bashkë me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministrin e kësaj ministrie, Hysen Durmishin si dhe me kryetarin e komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqin, kryeministri pa nga afër punimet e rrugës me gjatësi 15 kilometra, projekt në vlerë 35 milionë euro.
Kryeministri Kurti përgëzoi ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi për angazhimin për përgatitjet dhe planifikimin, meqë ngecja e madhe sipas tij ka ekzistuar pikërisht për shkak se kanë hyrë në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje.
Ministri Liburn Aliu dha detaje për këtë projekt duke treguar se projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë është projekt i cili i ka 5 lote, ku 4 lotet janë zgjerim të rrugës ekzistuese, ndërsa loti i pestë është finalizim i tashmë lotit të mëhershëm që është nga Lluzhani deri në Podujevë.
“Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që kjo rrugë të kryhet në kohë, që të kemi cilësi të punimeve e paralelisht me këtë edhe për projekte të tjera, për ato të cilat kemi pas ngecje të vazhdueshme nga e kaluara të cilat janë duke u zgjidh një për një, e po ashtu edhe për projektet e reja që presin të fillojnë dhe të na vijnë në muajt në vijim’’ u shpreh ai.
Kurse, zëvendësministri Durmishi shtoi se “ky është projekti i parë që ne si Ministri e realizojmë me të gjitha fazat, prej fazës së projektimit e deri në ekzekutim të punimeve, dhe i kemi marrë të gjitha masat që ky projekt të realizohet me dinamikë të shtuar brenda afateve që janë të përcaktuara në kontratë në mënyrë që të mos kemi zvarritje”.
Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke falënderuar Qeverinë e Kosovës për këtë mundësi të madhe për qytetarët, tha se ky është një projekt i shumëpritur, për arsye se kjo rrugë, pati shkaktuar shumë vështirësi në qarkullim, për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe qytetarëve, të cilët lëvizin në drejtim të Prishtinës.
Kurti bën sot inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës Prishtinë-Podujevë
F. S. / RTKlive
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përmes një njoftimi bën me dije se sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shoqëruar nga ministri Liburn Aliu dhe zëvendësministri Hysen Durmishi, me rastin e fillimit të punimeve të rrugës Prishtinë-Podujevë, do të bëjnë inagurimin e fillimit të punimeve.
Inagurimi do të bëhet tek Rruga Prishtinë-Podujevë, tek Qeshmja te Kulina, duke filluar nga ora 09:00.























