Kurti falënderon Garaganin për mbështetje në rrafshin ndërkombëtar
M.Miftari/RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ronan Gargan.
Përmes një njoftimi për meida, bëhet e ditur se në këtë takim miqësor u ritheksuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe përkushtimi i dyanshëm për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit.
“Kryeministri e falënderoi ambasadorin Gargan për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij përgjatë misionit, veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Irlandës për Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar e organizatat evropiane e demokratike ku vendi ynë aspiron të aderojë”, thuhet, mes tjerash, në njoftim.
Tutje, në takim u tha se marrëdhëniet e dy shteteve tona kanë avancuar gjatë viteve të fundit e janë karakterizuar dhe nga vizita të nivelit të lartë, sikurse vizita e vitit të kaluar në Kosovë e ministrit irlandez për Çështje Evropiane, Thomas Byrne. Veç kësaj, u theksua se Kosova dhe Irlanda ndajnë vlera e parime të përbashkëta, të cilat lehtësojnë bashkëpunimin në sfera të ndryshme.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Gargan bashkëbiseduan edhe për situatën në veri të Republikës së Kosovës dhe zhvillimet e fundit.
Më tej, kryeministri Kurti i uroi fat dhe suksese të mëtejme ambasadorit Gargan në angazhimet e tij të radhës.























