Përfundon në drekë vizita e Clinton në Shqipëri
rtsh.al
Vizita e ish-presidentit amerikanë në Shqipëri, Bill Clinton përfundon sot. Ish-presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lë tokën shqiptare për t’u nisur drejt asaj amerikane, pas vizitës dy-ditore në Tiranë.
Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, ish-presidenti Clinton ka zhvilluar një mëngjes pune te vila 31, ndërsa pas dreke niset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Policia e Shtetit publikoi një plan masash në kuadër të vizitës së Klinton në Shqipëri, ndër të cilat përfshinte dhe bllokimin e disa rrugëve. Në këtë kuadër, Policia bëri me dije se gjatë kësaj të marte, nga ora 13:30-15:30, do të jenë të bllokuara rrugët nga Rinasi - Qafa e Kasharit - Mbikalimi tek Casa Italia - nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”. Po ashtu, gjatë këtij dy orëshi, do të bllokohen dhe rrugët: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.
Ish-presidenti amerikan, mbërriti të hënë (3 korrik) në Tiranë, ku u prit në aeroport nga kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit, në një ceremoni të posaçme, i ka akorduar ish-presidentit amerikan Bill Klinton, Yllin e Mirënjohjes Publike, një nga çmimet më të larta që jep zyra e Kryeministrisë ndaj figurave të tilla.
Në fjalën e tij, Rama iu drejtua ish-presidentit Clintonit se ai ka qëndruar me Shqipërinë përmes fjalëve dhe veprave të tij duke dëshmuar angazhimin e Amerikës ndaj vendit tonë.
Ndërsa Clinton, në fjalën e tij, pasi vlerësoi miqësinë midis dy kombeve, SHBA- Shqipëri, vuri theksin në faktin se ka vlerësuar komentet e kryeministrit Rama për të në lidhje me Kosovën, por nga ana tjetër ka nënvizuar se kjo ditë do të mbetet një thesar në jetën e tij.
Clinton u shpreh se mbeti mjaft i suprizuar nga pritja që iu bë para kryeministrisë, me disa fëmijë, të cilët mbanin emrin e tij si emër, në shenjë vlerësimi.























