Analistët me kritika ndaj opozitës karshi politikave të qeverisë Kurti
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Analistët me kritika ndaj opozitës karshi politikave të qeverisë Kurti

Bardha Shkreli/ Radio Kosova

PDK thotë se më nuk do të jetë më opozitë konstruktive, LDK ka nisur konsultimet me shoqërinë civile dhe analistët, kurse AAK kërkon qeveri të unitetit pa kryeministrin Kurti.

Opozita kritikohet nga politolog për qasjen e saj të deritanishme, përballë politikës së qeverisë Kurti. Ata thonë se ka çështje për të cilat opozita mund të jetë edhe e bashkuar. 

Për muaj të tërë përfaqësues të shoqërisë civile e njohës të rrethanave politike kanë kritikuar opozitën për pasivitet dhe plogështi, duke thënë se po i krijon hapësirë të jashtëzakonshme qeverisë Kurti të veprojë e pa trazuar.

Njohësi i rrethanave politike Dritëro Arifi thotë se opozita ishte e njoftuar me kohë se Kosova do të përballej me masa ndëshkuese, por ata zgjodhën të shpresonin se qeveria do të ndryshonte kursin e veprimit. Më tej, ai thotë se ende ka elemente për reagim më të ashpër, por nuk dihet nëse opozita do të jetë e bashkuar në këtë rrugë.

“Tash krejt çka i mbetët opozitës është që të bojkotoi tërësisht Kuvendin e Kosovës dhe të gjitha komisionet, për t’i treguar botës perëndimore që opozita nuk është me këtë politikë. Tjetër alternativë ; ajo mund të bëjë protesta për të treguar se është kundër kësaj politike, pra ka elemente që mund t’i bëjë opozita, por a do të jetë e bashkuar, kjo është një pikëpyetje për të cilën ata duhet të japin përgjigje” , tha ai për Radio Kosovën.

Opozita edhe pse e ndarë në veprime, është e vetëdijshme për kritikat. Zëdhënësi i PDK-së Faton Abdullahu thotë se tani e tutje, PDK nuk do të jetë më konstruktive.

“Ajo cfarë bëmë në Këshillin Drejtues, është që ne s’ka gjasa më në asnjë mënyrë që  të jemi konstruktiv.  Pra edhe tek qytetarët edhe tek OJQ-të edhe në segmente tjera të shoqërisë, ka një sugjerim, më shumë se vërejtje që thonë opozita duhet të bëjë më shumë” , tha ai.

Besnik Tahiri shef i deputetëve të AAK-së i fton partitë opozitare dhe ato të pakicave,duke përjashtuar listën serbe që të përkrahin mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. 

Megjithatë sikur opozita të ishte më energjike, situata me miqtë ndërkombëtar do të ishte më ndrsyhe, thotë analisti Artan Muhaxhiri.

“Duket se kryeministri Kurti aq është i sigurt në mungesën e presionit dhe të rrezikut politik nga opozita saqë kjo i bënë keq edhe atij në aspektin e përceptimit real të situatës. Në përgjithësi opozita ka treguar se nuk ka ide se si ta luftoj kryeministrin Kurti dhe për këtë arsye edhe populizmi i Kurtit është duke u rritur ndërsa përkrahja për opozitën vazhdimisht është duke rënë”, tha ai.

Deri më tani, si pasojë e veprimeve të opozitës ka dështuar një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit dhe disa mbledhje të komisioneve parlamentare.


MË SHUME NGA Lajme