Zeqiri: Policia e Kosovës e vetmja polici pa sigurim shëndetësor e jetësor
Emine Hoti | RTKlive
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti 35 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje. Sipas tij shumica e këtyre dorëheqjeve kanë ardhur si pasojë e kushteve dhe pakënaqësive që rrodhen edhe me Ligjin e Pagave.
“Kupën e ka mbushur ajo shtesa për rrezikshmërinë në punë, e cila që nga implementimi i Ligjit të ri të Pagave e deri më tani nuk është ekzekutuar në pagat e zyrtarëve policorë dhe shtesat e tjera për punë specifike”, tha Zeqiri në “Info Plus” në RTK.
Ai ka thënë se në Policinë e Kosovës janë dy kategori të të punësuarve. “Kemi zyrtarë policorë me autorizime policore, që janë Policia e Kosovës dhe stafin mbështetës civil. Tek kjo e fundit kemi kategori të ndryshme të profesioneve të cilët na mbështesin edhe në plane operative dhe në punët e përditshme - nga ekspertë të IT-së, të ekonomisë, mjeshtër të profileve të ndryshme. Kjo kategori po ashtu me Ligjin e ri të Pagave është goditur jashtëzakonisht shumë. Prandaj, që të dy palët kemi pakënaqësi “, tha Zeqiri.
Ai tha se prej 35 dorëheqjeve, 29 prej tyre janë zyrtarë policorë me autorizime policore dhe gjashtë prej tyre janë të stafit civil.
Sipas tij dorëheqje të policëve ka pasur edhe gjatë viteve të kaluara, por që vitet e fundit janë shtuar shumë.
”Që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri në dhjetor të vitit 2022 kemi pasur 2250 dorëheqje vullnetare. Këto vitet e fundit ka pasur më shumë sepse secili prej tyre ka pritur se do të ketë kushte më të mira. Dorëheqje kemi pasur në vazhdimësi sepse Policia e Kosovës ka pasur kërkesa vazhdimisht.Ndër të tjera kërkesë e një rëndësi e të veçantë ka qenë sigurimi shëndetësor dhe jetësor, të cilin pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk e kanë”, tha ai, duke shtuar se në punën specifike që bëhet në Policinë e Kosovës, përpos stresit dhe obligimeve tjera ligjore ka edhe rrezikshmëri për shëndetin dhe jetën e policit.
Ai më tej ka bërë të ditur se deri më tani 23 zyrtarë policorë e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, qindra të tjerë janë lënduar, qindra zyrtarë janë me sëmundje kronike dhe një numër i konsiderueshëm janë sëmurë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe kanë vdekur në vendin e punës.
“Kjo është statistikë shumë e qartë që tregon se për Policinë e Kosovës duhet të bëhet sigurimi shëndetësor dhe jetësor. Jemi ndoshta policia e vetme në botë që nuk e gëzojmë këtë të drejtë. Mllefi po rritet dalëngadalë kur tani neve na del pa rend hiç kjo shtesa për rrezikshmërinë në punë, derisa ne e shohim që në të gjitha operacionet në cilëndo pjesë të Kosovës, por edhe në veri, pjesëtari i policisë ka rrezikshmëri në punë”, nënvizoi kryesindikalisti i policisë. Ai ka thënë se mosekzekutimi i shtesës për rrezikshmërinë në punë nuk e ka asnjë kuptim logjik.























