Dhuna në Fushë- Krujë, jep dorëheqjen deputeti i PS-së, Rrahman Rraja
RTKlive
Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja ka deklaruar dorëzimin e mandatit dhe largimin nga jeta politike, pasi fëmijët dhe të afërmit e tij u përfshinë në një ngjarje të dhunshme dy ditë më parë në fshatin Borizanë afër Fushë- Krujës.
Në një deklaratë për media e deputeti Rraja ka deklaruar se "Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht une dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time" shkruan Rraja.
Deputeti i bën thirrje djalit të tij, i cili është shpallur në kërkim, që të dorëzohet para drejtësisë.
Dy ditë më parë në media qarkulloi video ku dukeshin vëllezërit e deputetit Rraja dhe djali i tij të pajisur me shkopa gome, ndërsa njëri prej vëllezërve me armë në dorë, teksa ushtronin dhunë ndaj dy vëllezërve të cilët vazhdimisht ishin ankuar se gurorja e familjes Rraja po i shkatërronte shtëpitë nga shpërthimet që kryheshin aty.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi duke e konsideruar dhunën të papranueshme, teksa theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund t’u shpëtojnë përgjegjësive.
Deri tani ka shkuar në 8 numri i personave të shoqëruar (4 të arrestuar) dhe ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6 korrik 2023, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, si dhe shkon në 6 numri i shtetasve të shpallur në kërkim. Edhe Policia e Shtetit i bëri thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, vëllait dhe djalit të deputetit si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale.
Në zonën e Krujës kryejnë aktivitetin e tyre disa gurore, por banorët kanë protestuar disa herë kundër atyre që janë në pronësi të familjes Rraja, pasi kanë shtrirë aktivitetin e tyre në një distancë të afërt me banesat.























