Rama shkarkon nga detyra Çuçin, Balla ministri i ri i Brendshëm
N.M. /RTRKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkarkuar nga detyra e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçin, duke propozuar për këtë detyrë Taulant Ballën.
Rama, me anë të një postimi në Twitter, ka bërë me dije se do të dorëzojë të hënën e 10 korrikut dy propozime të tij për presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
Ai ka marrë vendimin për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherit e ka falënderuar atë “për punën e tij si gjithnjë korrekte”.
“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falënderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese edhe në këtë drejtim", ka shkruar Rama në Twitter.
Rama, në këtë postim, nuk sqaron arsyet e kësaj lëvizje, por mediat raportojnë se vendimi vjen pas ngjarjes së regjistruar në Borizanë të Krujës, ku pjesëtar të fisit të deputetit socialist, Rrahman Rraja dhunuan në mënyrë barbare dy kushërinj, pas një konflikti me ta për një gurore.
Mediat raportojnë se dy ditë më parë qarkulloi një video ku dukeshin vëllezërit e deputetit Rraja dhe djali i tij, Rexhep Rraja i shpallur në kërkim, të pajisur me shkopa gome, ndërsa njëri prej vëllezërve me armë në dorë, teksa ushtronin dhunë ndaj dy vëllezërve të cilët vazhdimisht ishin ankuar se gurorja e familjes Rraja po i shkatërronte shtëpitë nga shpërthimet që kryheshin aty.
Deri tani ka shkuar në 8 numri i personave të shoqëruar (4 të arrestuar) dhe ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6 korrik 2023, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë.
























