Rama: Nuk ka takim kryeministrash në Tiranë, pa kryeministrin e Kosovës
Arlinda Sejda /RTK
Tirana do të jetë nikoqire e samitit të Procesit të Berlinit i cili mbledh 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor më 16 tetor. Në këtë format, në të cilin është e përfshirë edhe Kosova, ende nuk dihet nëse kryeministri Albin Kurti do të jetë i pranishëm.
Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar një ditë më parë se ia ka bërë të qartë Brukselit se nuk ka takim kryeministrash në Tiranë, pa atë të Kosovës. Edhe njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se masat e BE-së në raport me Kosovën nuk do të duhej të ndikonin në pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit.
Mesi i tetorit do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në kuadër të samitit që pritet të mbahet si vazhdimësi e Procesit të Berlinit. Në mesin e 6 vendeve edhe Kosova është pjesëmarrëse e barabartë e këtij procesi. Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të kenë ndikim në këtë Samit, zhvillimet e fundit me veriun e vendit dhe masat e përkohshme të vendosura ndaj BE-së.
Në këtë drejtim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë më parë nga Podgorica dërgoi mesazh për Brukselin, duke thënë se ia ka bërë të qartë se nuk ka takim kryeministrash në Tiranë, pa atë të Kosovës.
Nga zyra e kryeministrit Kurti nuk kanë folur për këtë temë. Në anën tjetër, njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se masat e BE-së në raport me Kosovën nuk do të duhej të ndikonin në pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit.
”Procesi i Berlinit është një mekanizëm i fuqizuar nga ana e BE-së dhe si i tillë ka një mekanizëm pavarësie te politika që ndjekë. Konformë kësaj unë e shohë të ndarë këtë çështje pavarsisht të fuqizimit të BE, gjithsesi që BE nuk është që i ka vendosur masa kryeministrit Kurti për të mos shkuar në Tiranë, në Samitin e procesit të Berlinit, por masat janë për mos shkuarjen e qeverisë, kryeministrit në Bruksel, pra në BE”, tha Albinot Maloku, njohës i çështjeve politike.
“Kosova është partner i barabartë në mesin e gjashtë shteteve anëtare të këtij procesi dhe gjithmonë deri tani ka qenë partner serioz në çdo obligim që ka dalë nga nisma rajonale e Ballkanit perëndimor nën udhëheqjen e kancelarisë Gjermane. Shqipëria nuk do të duhej të ndjeke politikë sharllatane karshi Kosovës, sepse jemi të dy shtete ku jeton Kombi Shqiptar, dhe duhet të jemi kryesor në Ballkanin perëndimor që jemi popull që synojmë paqen bashkëpunimin mirëqenien dhe stabilitetin rajonal”, tha Gazmir Raci, analist politik
Samiti i procesit të Berlinit do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.























