James Trafford, një “hero i pathënë”
RTSH
Thuhet se shpesh, disa gjëra janë të paracaktuara të ndodhin. Dhe kështu ka ndodhur me James Traffordin, portierin e ri që me heroizmat e tij i siguroi Anglisë titullin e kampiones së Evropës për nën-21-vjeçarët.
20-vjeçari ruajti gjakftohtësinë, duke reaguar dy herë në mënyrë instinktive në minutën e 98-të, teksa priti fillimisht me duar goditjen nga pika e 11-metërshit nga Abel Ruizi, duke pritur me këmbë një goditje të dytë nga lojtarët spanjollë, ndërsa përpjekja e 3-të në pak sekonda e iberikëve përfundoi mbi shtyllën horizontale të portës së anglezëve.
Kjo bëri që Anglia ta mbrojë fitoren minimale të siguruar me një gol në fundin e pjesës së parë dhe të triumfojë në finalen e Evropianit të kësaj grupmoshe ndaj Spanjës, duke siguruar kurorën e më të mirës së kontinentit pas plot 39 vitesh.
Dhe portieri anglez ka rrëfyer pas ndeshjes se ai u kishte deklaruar shokëve në mëngjes se do ta priste një 11-metërsh.
“Përtej modestisë, ishte një goditje e thjeshtë për t’u pritur, ndërsa më pas, sikundër ndodh shpesh me ne portierët, hyjnë në punë instinktet por edhe fati”, ka thënë Trafford, duke shtuar se ishte krenar që Anglia e mbylli pa pësuar asnjë gol këtë evenimet të futbollit.























