Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në Kosovë
E. Hoti / RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, Nuno Querios, të cilit i uroi mirëseardhje dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në projektet, të cilat do të zbatohen në Kosovë nga UNDP-ja.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, me theks të veçantë tek ato për gratë, rininë, mjedisin dhe personat me nevoja të veçanta.
“Presidentja Osmani kërkoi mbështetje për projektet, të cilat janë ndër prioritetet e mandatit të saj, të cilat përfshinë fuqizimin ekonomik të grave, përkrahjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe agjendën e gjelbër”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, përfaqësuesi i UNDP, sipas njoftimit u shpreh i hapur për të bashkëpunuar për t`i përkrahur këto prioritete duke marrë parasysh edhe projektet e ngjashme që po zhvillohen në rajon.
Ndër të tjera, u diskutua edhe për Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga presidentja Osmani. Presidentja falënderoi UNDP-në për partneritetin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe nga ky takim u riikonfirmua mbështetja edhe për këtë vit.























