Genc Nuza vlerësohet si gjyqtar premtues nga UEFA
B. H. | RTKlive
Njëri nga gjyqtarët më të mirë në dekadën e fundit në futbollin e Kosovës, Genc Nuza është vlerësuar si gjyqtar premtues. Federata e Futbollit e Kosovës njofton se Nuza është përfshirë nga UEFA në programin “Mentor&Talent” për edicionin 2023/2024.
“Njëri nga gjyqtarët më të dalluar në vitet e fundit në Kosovë, i cili me sukses ka ndarë drejtësinë edhe në ndeshjet ndërkombëtare, ka hyrë në programin e 20 gjyqtarëve më premtues të UEFA-së. Ai do ta ketë mentor ish-gjyqtarin e njohur të FIFA-s, belgun Frank De Bleeckere”, shkruan FFK.
Ky program do të fillojë më 29 gusht, teksa Nuza është shprehur i nderuar për përfshirjen në këtë program.
“Jam tejet i lumtur që jam i zgjedhur nga UEFA si gjyqtar premtues për të ardhmen dhe që do ta kem një mentor siç është Franck De Bleeckere, i cili ka qenë gjyqtar në Kampionate botërore e evropiane. Shpresoj ta ngrisë nivelin e referimit tim edhe më shumë gjatë këtij programi me ndihmën e mentorit tim”, theksoi Nuza për faqen zyrtare të FFK-së.
Genc Nuza aktualisht ndodhet në Maltë, ku po ndan drejtësinë në Kampionatin Evropian për grupmoshën U19, që njëherësh është aktiviteti i parë madhor i UEFA që merr pjesë një gjyqtar nga Kosova.























