Gliha: Kualifikimi në Euro 2024 i vështirë por rrugëtimi s’ka përfunduar
BKT
Foto: FFK
Sport

Gliha: Kualifikimi në Euro 2024 i vështirë por rrugëtimi s’ka përfunduar

B. H. | RTKlive

Ndonëse është shumë e vështirë arritja e objektivit për kualifikim në Euro 2024, rrugëtimi ende nuk ka përfunduar. Kështu e ka vlerësuar gjendjen aktuale të Kombëtares së Kosovës përzgjedhësi i ri i Dardanëve, Primozh Gliha, në takimin që ka pasur me kreun e FFK-së, Agim Ademi.

Sipas njoftimit të shtëpisë së futbollit kosovar, trajneri slloven, e konsideron përparësi angazhimin e tij disavjeçar në pozicione të ndryshme në futbollin e Kosovës, teksa e vlerësoi pozitivisht përzgjedhjen e ndihmësve të tij nga ana e FFK-së.

“Gjatë këtij takimi ata diskutuan për vazhdimin e rrugëtimit të Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024. Paraprakisht, Gliha do të jetë i pranishëm në ndeshjet e ekipeve të Superligës për garat evropiane, e gjithashtu do të vizitojë edhe Kampin Nacional, atje ku kombëtaret tona zinxhirë po zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe bashkërisht me ekipin e trajnerëve kombëtares në përbërje të Afrim Tovërlanit, Arbnor Morinës, Ahmet Beselicës dhe Thomas Richards do të analizojnë me kujdes situatën në të cilën ndodhet Kombëtarja e Kosovës dhe do të shqyrtojnë mundësitë për të arritur objektivat e FFK-së”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Tutje theksohet se kreu i FFK-së kërkoi nga përbërja e re udhëheqëse e ekipit kombëtar që të jenë sa më të përpiktë dhe të veprojnë konform normativave të FFK-së për ekipin kombëtar.

“Gliha premtoi se do të punojë me shumë përkushtim dhe me të gjithë kapacitetin që ka ekipi kombëtar për ta kthyer Kosovën në rrugën e fitores dhe për të arritur rezultate sa më pozitive. Gliha njëherësh ka kërkuar nga të gjithë futbollistët që ta respektojnë maksimalisht fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe ta japin maksimumin”, thuhet tutje në njoftim.

Në ditët në vazhdim përzgjedhësi Gliha do të takojë ekipin e tij për të kërkuar nga afër përkrahjen, kapitenin Amir Rrahmani dhe futbollistët tjerë në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë, e po ashtu do të takojë edhe tifozët Dardanët për t’i njoftuar me vazhdimin e projektit për Kosovën në Evropian dhe për të kërkuar përkrahjen e tyre, theksohet më tej në njoftimin e FFK-së.

Sfida e parë e Glihas në drejtim të Kosovës do të jetë në shtator kundër Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Aktualisht Dardanët janë jashtë objektivit, pasi kanë arkëtuar vetëm 3 pikë në Grupin I në katër ndeshje të zhvilluara.