Tërnava: Populli ynë me tolerancë, mirëkuptim ndërfetar dhe ndëretnik
E. Hoti / RTKlive
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot. Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar për një mirëqenie për të gjithë qytetarët pa dallim.
Sipas njoftimit të BIK-ut, Tërnava e njoftoi ambasadorin lidhur me funksionimin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet institucioni i BIK-ut.
Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar për një mirëqenie për të gjithë qytetarët pa dallim, duke shprehur kështu rolin e saj në proceset në të cilat ka kaluar Kosova përgjatë dekadave.
“Ne si institucion mbetemi të përkushtuar për një mirëqenie për të gjithë pa dallim. Populli ynë dhe besimtarët tanë kanë vlera dhe virtyte të larta, e ndër to është edhe toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar dhe ndëretnik, me të cilat ne krenohemi para botës mbarë” – tha ndër të tjera myftiu Tërnava.
“Nga ana e tij, ambasadori Olivier Guérot, falënderoi myftiun Tërnava për pritjen, duke e përgëzuar atë dhe institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës për kontributin e dhënë përgjatë viteve në Kosovë”, njofton BIK.























