18:00 / 11.07.2023
Galatasaray i bën ofertë Tottenhamit për mbrojtësin kolumbian
Uran Krasniqi/RTKLive
Tottenham Hotspur ka marrë një propozim nga Galatasaray për qendërmbrojtësin kolumbian Davinson Sanchez.
Futbollisti ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij në Londër dhe agjentët e tij po punojnë për një largim në verë.
Sipas gazetarit italian Fabrizio Romano, Galatasaray tani ka kontaktuar me "Spurs" për një marrëveshje të mundshme për kolumbianin duke qenë të gatshëm të ofrojnë 9 milion euro.
Amerikano-jugori në sezonin e fundit ka luajtur njëzet e katër ndeshje për Tottenhamin, por Sanchez ishte kritikuar për performancën e tij në ndeshjen me Bournemouth. Largimi i Sanchezit do të krijonte hapësirë për Micky van de Ven të Wolfsburgut, i cili është i lidhur me një lëvizje drejt kampionatit anglez.























