Vazhdon publikimi i përgjimeve|Video
Edona Podvorica/RTK/
Njëri nga njerëzit i cili njihet për organizimin dhe dirigjimin e strukturave kriminale në veri të vendit, Milan Radojçiq e i cili është në listën e zezë amerikane, emri i tij është bërë temë diskutimi në dy ditët e fundit. Kjo vjen pas publikimit të disa përgjimeve subjekt i të cilave është shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila në një bisedë me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Sot është publikuar pjesa e dytë e përgjimeve teksa Kusari Lila sot nuk është deklaruar rreth këtij përgjimi, por që një ditë më parë tha që biseda me Simiqin ka qenë në kuadër të koordinimit institucional.
Pjesa e dytë e përgjimeve të shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje me zyrtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, zbulon një bashkëbisedim në disa çështje, por kryetemë mbetët i dyshuari për krime Millan Radojiçiqi, i cili është në listën e zezë të Amerikës.
Gazeta Nacionale në videon e publikuar të martën pasdite sjell një bisedë që shpërfaqë mllefin e Radojçiq me partitë politike shqiptare.
Teksa Simiq i përmend Kusarit se ka folur me Radojçiqin 5 herë kjo e fundit hesht.
Ndërsa në paraqitje publike në media një ditë më parë, Kusari tha se garanton që me Radojçiqin ka biseduar vetëm njëherë dhe atë 2 apo 3 minuta në interfon nga telefoni i Simiqit. Më tej Simiq dëgjohet duke lexuar disa mesazhe tjera Mimoza Kusarit, të cilat po i vinin nga Radojçiq.
Për këtë përgjim është pyetur sot edhe ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier. Ky i fundit është përgjigjur shkurt për pjesën ku përfshihet edhe Milan Radojçiq.
“Nuk mund të flasë shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-së”, ka thënë ambasadori Hovenier .
RTK ka provuar gjatë gjithë ditës të marrë një qëndrim të Kusari-Lilës, mbi përgjimet e publikuara të martën por ajo ka qenë e pa qasshme. Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje është kundërpërgjigjur, me publikimin e një videoje.
Ndër të tjera Vetëvendosje kritikon partitë opozitare për “amnistimin e kriminelëve serbë me 91 vota në Kuvendin e Kosovës, 10 vite më parë”.























