Rusinovci: Reshjet e shiut kanë ndikuar në vonim të korrjeshirjes së grurit
BKT
Lajme

Rusinovci: Reshjet e shiut kanë ndikuar në vonim të korrjeshirjes së grurit

E. Hoti / RTKlive

Ka filluar fushata e korrjeshirjeve në Kosovë, por për dallim nga vitet e kaluara, kësaj radhe rendimenti mund të jetë më i ulët. Kjo si pasojë e reshjeve të cilat kanë koinciduar edhe me invazion të patogjenëve. Kështu ka theksuar profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Imer Rusinovci në magazinën “Info Plus” në RTK.

Ai ka thënë se këtë vit fushata e korrjeshirjeve ka nisur më vonë se sa në vitet paraprake për shkak të motit që ka mbretëruar gjatë dimrit dhe pranverës. “Arsyeja është e thjeshtë. Patëm një vit si të themi ‘pa pranverë’. Pra, patëm dhjetorin, janarin dhe shkurtin pa reshje bore dhe marsin, prillin, majin dhe qershorin me reshje të vazhdueshme. Po ashtu temperaturat ishin relativisht të ftohta për stinën e pranverës dhe këto e shtyn fushatën e korrjeshirjeve”, tha ai.

Sipas tij, viteve të kaluar në këtë periudhë pjesa dërmuese e Rrafshit të Dukagjinit e kishin përfunduar fushatën e korrjeshirjeve. ”Dje isha në Klinë, korrjet atje janë me një intensitet goxha të vrullshëm për dallim nga rrafshi  i Kosoves. Pritet që Lipjani dhe pjesët tjera që janë me ekspozicion më të ulët të fillojnë gjatë fundjavës, pastaj me ngritjen e lartësisë mbidetare sigurisht se korrja do të jetë më e vonshme”, tha ai.

Profesori Rusinovci tha se si pasojë e temperaturave të ulëta dhe reshjeve të vazhdueshme gjatë pranverës, fushata është prolonguar, por megjithatë sondazhet e marra ditë më parë në Suharekë, Rahovec, Prizren, Gjakovë dhe në Klinë janë pothuajse të përafërta me vitet e kaluara.

Tutje ai tha edhe se edhe përkundër faktit që këtë vit ka më shumë sipërfaqe të mbjella me grurë se vitet e kaluara,  prodhimi nuk do të jetë ai i planifikuari.

“Pra, një gjë është e vërtetë, sipërfaqe kultivuese këtë vit janë mbjellë më shumë në raport me vitet e kaluara, por që prodhimi nuk do të jetë ai i planifikuari, si pasojë e reshjeve të cilat kanë koinciduar edhe e me invazion të patogjenëve, konkretisht të sëmundjeve. Shumë sipërfaqe kanë qenë të atakuara me ndryshkë, pastaj edhe me blozë. Ka pasur edhe dëmtues tjerë, sepse viti specifik me reshje atakon më shumë ngastrat kultivuese me drithëra hamullorë në përgjithësi, dhe me grurë në veçanti”, u shpreh ai, transmeton RTKlive.

Tutje profesor Rusinovci deklaroi se është vështirë të flitet për një prodhim të përgjithshëm të grurit dhe për një mesatare sepse mostrat janë mjaft heterogjene.

”Kosova tani ka fermerë tradicionalë që janë shumë të përgjegjshëm dhe bartin me efikasitet të lartë transfere të reja teknologjike. Fermerët që gjatë trajtimit të parë i kanë kombinuar herbicidet me fungicide dhe insekticide, atëherë efikasiteti ka qenë shumë më i lartë në ngastrat e tilla në raport me ato të patrajtuara me preparate kundër sëmundjeve”, nënvizoi ai.

Sipas tij Kosova karakterizohet në vendin e fundit të vendeve për produktivitet të ulët të punës në  bujqësi, teksa ka thënë se fermerët dhe dikasteri përkatës që e monitoron punën e tyre duhet të punojnë bashkë për të realizuar atë çka planifikohet.


MË SHUME NGA Lajme