Pjesa e tretë e përgjimeve, bisedohet për veteranët|Video
Edona Podvorica / RTK
Ka vazhduar publikimi i përgjimeve ku protagoniste është shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, e cila bisedon me zyrtarin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Sot është publikuar pjesa e 3-të e këtyre përgjimeve, e cila nxjerr në pah biseda që kanë të bëjnë me veteranët, por edhe me qëndrimet e Kusari-Lilës ndaj disa prej kolegëve të vet opozitarë.
Pjesa e tretë e audio-incizimeve të publikuara të mërkurën në Nacionale, ku Mimoza Kusari bisedon me politikanin e Listës Serbe, Slavko Simiq, shfaq Kusari-Lilën duke i arsyetuar disa deklarata të bëra në lidhje me Listën Serbe sa i përket çështjes së veteranëve të luftës.
Në këtë video shefja e deputetëve të VV-së përmend edhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj dhe Uran Ismailin e Bekim Haxhiun e PDK-së.
Për këto përgjime është deklaruar sot edhe kryeministri Albin Kurti. Ai i ka quajtur interpretime partizane përgjimet e publikuara, derisa ka bërë thirrje që të kihet kujdes nga lufta hibride që bëhet nga Serbia.
“Aty shefja e grup tonë parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka interpretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vet për atë çfarë dëgjojnë, e që qartazi është një incizim i cili është i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të“, tha sot kryeministri Kurti.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ky përgjim është i paligjshëm dhe tendencë për deformimin e një komunikimi përmes montazhit.
“Zonja Kusari-Lila nuk ka bërë pazare, zonja Kusari-Lila nuk shantazhohet, zonja Kusari-Lila nuk mund të frikësohet nga askush”, tha ministrja Haxhiu.
Ky është audio-incizimi i tretë nga përgjimet e publikuara ku Mimoza Kusari, në një bisedë në zyrën e saj në Kuvendin e Kosovës me Slavko Simiq, e pranon se ka folur me Milan Radojiçiqin.
Ndërkohë, as sot, Kusari Lila nuk është përgjigjur në thirrjen e RTK-së për të komentuar këtë pjesë të përgjimeve.























