Ademi pret vëllëzërit Muriqi dhe Sahit Kelmendin
Uran Krasniqi / RTKLive
Vëllezërit Fadil dhe Xhevdet Muriqi dhe bashkëlojtari i tyre i gjeneratës së artë të KF Prishtina, Sahit Kelmendi janë pritur të mërkurën nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
"Sot pata kënaqësinë t'i mirëpres në zyrën time legjendat e futbollit kosovar - vëllezërit Fadil dhe Xhevdet Muriqi, si dhe bashkëlojtarin e tyre të gjeneratës së artë të KF Prishtina, Sahit Kelmendi.
Vëllezërve Muriqi u shpreha mirëseardhje dhe pushime të këndshme në Kosovë, derisa së bashku evokuam kujtime të shkëlqyera nga karriera e tyre.
Gjatë këtij takimi i njoftova vëllezërit Muriqi me zhvillimet dhe projektet e fundit të Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe me rritjen e futbollit në nivelin e klubeve dhe ecurinë e ekipeve tona kombëtare.
Vëllezërit Muriqi shprehën mirënjohjen e tyre për të arriturat e futbollit kosovar, teksa vlerësuan punën dhe përpjekjet tona për të ngritur futbollin në një dimension tjetër.
Ata theksuan se i ndjekin me vëmendje paraqitjet e Kombëtares së Kosovës e të klubeve tona në arenën ndërkombëtare dhe i gëzohen çdo suksesi të tyre", ka njoftuar Ademi.
"Ishte kënaqësi të ritakoja dhe të ndaja momente të tilla me Fadilin, Xhevdetin e Sahitin, të cilët kanë dhënë shumë për futbollin kosovar dhe kanë lënë gjurmë të thella në historinë e tij, teksa në shenjë respekti u dhurova nga një fanellë të Kombëtares së Kosovës".























