Kuvendi miraton edhe Projektligjin për pagën minimale
BKT
Foto: Edona Podvorica
Lajme

Kuvendi miraton edhe Projektligjin për pagën minimale

RTKlive

(E plotësuar 21:09) Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Për miratimin të këtij projektligji votuan 61 deputetë nga mazhoranca, derisa dritë e gjelbër iu dha edhe disa amendamenteve të këtij projektligji.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar, gjithashtu,  në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Deputetët e mazhorancës me 61 vota "Për" kanë kaluar Ligji për Pagën Minimale, ku parashihet që paga minimale të jetë 264 euro.

Në momentin e votimit të projektligjin nuk ishin të pranishëm deputetët e partive opozitare.

Deputetët e PDK-së e AAK-së largohen nga foltorja, vazhdon seanca

(E plotësuar 19:15) Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon votimi i amendamenteve, pasi që deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë larguar nga foltorja.

Në sallën e Kuvendit nuk ka kuorum për votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj ato po kalohen për një seancë tjetër.

Po votohen vetëm për pikat për të cilat ka kuorum prej 62 deputetësh sa janë në sallë. Kuvendi  është duke shqyrtuar Projektligjin për produktet medicinale.

Foltorja e Kuvendit vazhdon të mbahet e bllokuar, seanca vazhdon

(E plotësuar 18:05) Po vazhdon të mbahet e bllokuar foltorja e Kuvendit nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës. Me kërkesë të kryekuvendarit, Glauk Konjufca, mbrojtja e kryeministrit është larguar nga salla

Ai po kërkon nga deputetët e PDK-së-së që ta lëshojnë foltoren dhe të ulen në vendet e tyre, për të vazhduar me seancë.

Kryeparlamentari Konjufca u ka thënë deputetëve që nëse nuk e respektojnë këtë kërkesë, ata do të largohen nga seanca.

Ndërkohë nga Lidhja Demokratike vetëm dy - tre deputetë janë në sallë aktualisht.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

E një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje po e shfrytëzon bllokadën e foltores për ta përfunduar drekën.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Opozita barrikadohet rreth foltores, bllokon seancën e jashtëzakonshme

(E plotësuar 16:35) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë prapë fjalën në Kuvend të Kosovës, ku tha se është thirrur një seancë e jashtëzakonshme prej 41 deputetëve. Kjo megjithatë u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët  sërish mblodhen para foltores, duke mos lejuar zhvillimin e seancës.

(E përditësuar 15: 45) Deputetë të PDK-së, të LDK-së dhe të AAK-së e kanë bllokuar foltoren e Kuvendit të Kosovës, pasi kërkuan që të shtyhet seanca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se qytetarët do të vlerësojnë se nga kush u nis konflikti në seancën e sotme të Kuvendit. Sipas tij, momentumi është që të tejkalohet kjo situatë.

“Ne jemi shtet i ri edhe Kuvendi dhe institucionet kanë përjetuar peripeci të llojllojshme, por së paku deri më sot kemi pasur imunitet të mirë që është vlerësuar edhe nga bota demokratike. Kemi pasur probleme të natyrave tjera, por jo në kuptimin fizik drejt fytyrës, kokës, trupave me ja mësy njëri-tjetrit siç e pamë sot”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari u bëri thirrje ligjvënësve që ta merrni me qetësi punën, duke u përpjekur për të kaluar, siç tha ai, këtë ditë të vështirë dhe këto momente të vështira për vendin. “...bisedova me kryeministrin ai po heq dorë nga fjala e tij që pat, dhe nëse ne si deputet kemi mirëkuptim për me vazhduar në pikë tjetër atëherë vazhdojmë me pyetjet parlamentare”, tha Konjufca.

Një fjalim për mbarëvajtjen e punës në Kuvend e dha edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili është deputet i Kuvendit të Kosovës në të gjitha legjislaturat e pasluftës.

“Mendoj që sot kryetar Konjufca edhe juve si pozitë edhe qeverisë, u kisha sugjeruar, pa pas nevojë me hy në debate, që për sot të anulohet seanca. Të vijmë një ditë tjetër në seancë. Mendoj që sot s’ka kushte”, tha ai.

(E përditësuar 15:15) Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se kryeministri i Kosovës, ka hequr dorë nga fjalimi që ka pasur në plan të mbajë në seancën e sotme. Ai ka kërkuar që të fillojë me pikat e tjera.

Konjufca tha se sot ishte ditë e vështirë për Kosovën. Ai kërkoi nga deputetët në Kuvend që me mirëkuptim të tejkalohen problemet dhe të vazhdohet me pyetje parlamentare në seancë. Ai tha se këtë e presin qytetarët, ndërsa për veprimet e sotme në Kuvend “duhet të merren organet kushtetuese”.

“Ne i kemi papajtueshmëritë më të thella ndonjëherë, por ato mospajtime i bëjnë nder Kosovës nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm të institucioneve tona demokratike, që monitorohen. Deri tash ia kemi arritur me sukses. Përpiqemi ta kalojmë këtë ditë të vështirë dhe këto ditë të vështira për vendin tonë. Po ju thërras për një minimum të një sjelljeje që do t’i gëzonte qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai.

Përleshje në Kuvend, ndërpritet seanca dhe shkohet në pauzë|Video

(E përditësuar 12:30) Është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës pasi deputetët e opozitës janë përleshur me deputetët e pozitës dhe ministrat, teksa kryeministri Albin Kurti ishte duke mbajtur fjalim. Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka kushte për vazhdim te senacës, duke deklaruar 2 orë pauzë.

Derisa kryeministri Kurti po fliste në Kuvend për çështjen e veriut, ndaj tij u hodh ujë nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, gjë që shkaktoi përleshje fizike mes deputetëve dhe ministrave të pranishëm në Kuvend.

Paraprakisht deputeti i PDK-së, duke folur për përgjimet, ku protagoniste është Mimoza Kusari Lila, e akuzoi partinë në pushtet për mashtrim të qytetarëve dhe për koordinim me Listën Serbe.

Më pas në foltore u paraqit kryeministri Kurti në deklarimet jashtë rendit të ditës, ku foli për marrëveshjen e arritur ndërmjet zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe të deleguarit të BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak. Ai tha se marrëveshja është për deeskalim, me të cilën sipas tij asnjëherë nuk hiqet dorë nga sundimi i ligjit dhe nga luftimi i krimit e i kontrabandës.

Kurti tutje ka thënë se në të njëjtën kohë kanë shfaqur ndjeshmërinë për rëndësinë e paqes qëndrueshme, të stabilitetit afatgjatë e të sigurisë për të gjithë.

“Në  këto dy javët e fundit nuk ka pasur as protesta të dhunshme e as incidente të dhunshme. Rrjedhimisht nuk kemi tërheqje të policisë, të gjithë janë në veri, kemi 25 përqind zhvendosje nga ndërtesat komunale por gjithnjë përbrenda veriut të Kosovës”, shtoi Kurti.

Ai ka thënë se fletëarresti për kryekriminelin Milan Radojçiq është tërhequr më 19 shkurt, 2021 pesë ditë pas fitores së LVV-së.

“Ne i kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota më 14 shkurt 2021, e ish-qeveria e ka hequr fletarrestin ndaj këtij kryekrimineli pesë ditë më vonë. Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë e Prishtinë, tash kontributi ynë është se ai është në hotelin Kopaonik, në anën tjetër të kufirit”, ka theksuar Kurti.

Këtu më pas ka filluar reagimi i deputetëve të opozitës. Fillimisht Ganimete Musliu vendosi një fotomontazh në foltore të kryeministrit me hundë të zgjatur, të cilën menjëherë e hoqi dhe e grisi Besnik Bislimi, gjë që shkaktoi reagim të deputetëve tjerë të opozitës, të cilët hodhën ujë dhe u vërsulën në drejtim të kryeministrit, me ç'rast filloi edhe përleshja ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe ministrave të LVV-së. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit për ta qetësuar situatën, teksa punimet e Kuvendit janë ndërprerë.


MË SHUME NGA Lajme