Reagon PDK: LVV provokoi situatën, vendi duhet të shkojë në zgjedhje
M.Sh/RTKlive
Menjëherë pas ndërpres së dhunshme të seancës, reagoi Partia Demokratike e Kosovës, duke i akuzuar deputetët dhe ministrat e shumicës së nxitës të përleshjes në Kuvend.
“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore”, shkruan PDK në reagim.
Sipas subjektit më të madh opozitar, “ishte pikërisht zëvendëskryeministri Bislimi, i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”.
“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDFK-së, tani gjithçka është e qartë.
“Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti. Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë”, thuhet më reagimin e PDK-së.
Kosova sipas PDK-së, ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, “qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik”.
PDK, thotë se pushteti ka reaguar me dhunë karshi një opozitari që e bën një akt simbolik
Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për medie të mbajtur në hollin e kuvendit ka akuzuar partinë në pushtet për ngjarjen e ndodhur në seancën e Kuvendit.
Deputetja Eliza Hoxha, ka thënë se kanë realizuar një aksion simbolik për të kundërshtuar atë që ka dal pas publikimit të përgjimeve ku protagonistë ishin shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari dhe nënkryetarit të Listës Serbë, Sllavko Simiq.
Sipas saj, aktit simbolik, pozita i ka reaguar me dhunë karshi. “Ajo që është më e rëndësishmja është qe në sot as s’kemi ardhur me plane e as me paramendime në Kuvend për me bë dhunë, besoj këtë e keni parë prej që jemi ne opozitë që katër vite”, ka thënë ajo, teksa pranë saj ka pasur deputetin Mërgim Lushtaku i cili ka lagur me ujë kryeministrin Kurti.
Hoxha ka theksuar se si parti kanë përdorur “mjete dhe instrumente demokratike që nuk e cenojnë integritetin fizik të dikujt” për të adresuar çështje.
“Besoj se mjete më të vrazhda e më të dhunshme i keni parë pasluftës në Kosovë. Dhuna s’është arsyetim por besoj që shumicës së pyetjeve duhet t’ia bëni pozitës dhe reagimit të tyre me dhunë karshi një opozitari që e bën një akt simbolik, demonstrativ”, është shprehur Hoxha.
Ndërkaq në fund të konferencës për media, deputeti Mërgim Lushtaku duke iu drejtuar gazetarëve ka thënë: “Ju lutem qetësohuni dhe freskoni me ujë”.























