Rama: Çka ndodhi sot e turpshme, po e dëmton reputacionin e Kosovës
V.Th. RTKlive
E përditësuar (4:56) Kryeministri i Shqipërisë ka reaguar për herë të dytë në Twitter lidhur me incidentet në Kuvendin e Kosovës. Ai e ka cilësuar ngjarjen si “të turpshme” dhe ka thënë se nuk ekziston justifikim për këto veprime.
“Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën”, ka shkruar Rama.
Tutje kryeministri shqiptar ka thënë se “sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj”.
“Unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!”, ka shkruar tutje Rama.
(12:35) Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas përplasjeve fizike që ndodhën këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës.
“Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta!”, ka shkruar Rama në një postim në Twitter.
Ai ka thënë se të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!
“Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, ka thënë Rama.
























