KPK i reagon qeverisë: Deklarohet kundër Projektligjit të ri për KPK-në
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

KPK i reagon qeverisë: Deklarohet kundër Projektligjit të ri për KPK-në

M.Shefkiu/RTKlive

Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar të enjten kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratimin e Projektligjit të ri për Këshilli Prokurorial i Kosovës reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës. Miratimi i këtij ligji, sipas KPK-së, është procesi i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës, i cili sipas tyre, minon bashkëpunimin për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet tona relevante të drejtësisë.

“Këshilli Prokurorial, deklaron se përkundrejt asaj që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskoordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë projektligj tejet të rëndësishëm, pa përfillur fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi dhe duke injoruar plotësisht bashkërendimin e nevojshëm me sistemin prokurorial dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”, reagon KPK.

Sipas këtij këshilli, sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore, për të cilat është shprehur vullneti i angazhimit të përbashkët.

“Porse kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim”, reagon KPK.

Andaj KPK-ja me këtë rast paralajmëron se “do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së”.

“Pasi që i njëjti cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika” thuhet më tej në reagim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, “në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente”.

Kujtojmë se në mbledhjen e djeshme Qeveria Kosovës ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas Qeverisë, ky projektligj është ndër ligjet kryesore substanciale i cili mundëson reformimin e sistemit prokurorial. “Përmes tij, mes tjerash synohet ndryshimi i përbërjes së Këshillit Prokurorial, në kuptim të arritjes së balancit të përbërjes me anëtarë prokurorë dhe jo-prokurorë, eliminimi i korporatizmit, ndikimeve nga faktorë të ndryshëm dhe gjithashtu, shpërbërja e grupeve të interesit”, thuhet në vendimin e mbledhjes së qeverisë me datën 12 korrik.


MË SHUME NGA Lajme