Haxholli: Përplasjet politike s’duhet të shndërrohen në përplasje fizike
Sh.G. /RTK
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se përplasja që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, ku u shpërfaq një dhunë e theksuar, nuk ishte aspak e zakonshme.
“Ka kohë që pamje të tilla nuk ka pasur në institucionin më të lartë përfaqësues, ne e dënojmë ashpër këtë gjë, ashtu siç kemi lajmëruar përmes një komunikate për medie që e kemi lëshuar më herët duke e cilësuar që dhuna në Kuvend është e pa pranueshme dhe se përplasjet politike nuk duhet asnjëherë të shndërrohet në përplasje fizike”, tha Haxholli në ‘Info Plus” në RTK.
Ajo tha se shihet që nuk ka kushte të duhura për të vazhduar seancat e Kuvendit, nëse bojkoti opozitar do të thotë prodhon skena të tilla edhe në orët në vazhdim ose edhe ditët në vazhdim.
“Vlerësoj që e kemi një krizë të re institucionale që Kosova nuk e ka pasur për një kohë të gjatë dhe pa një marrëveshje politike në mesë subjekteve nuk do të ketë rrethana normale për të vazhduar puna në kuvendin e Kosovës”, tha ajo.
Sipas Haxhollit, të gjitha partitë politike do të duhej të gjenden para përgjegjësisë, sidomos ato që morën pjesë në aktet e dhunshme në kuvend dhe nëse qëllim është të përsëriten këto akte, kjo nuk është punë normale e Kuvendit të Kosovës dhe do të duhet të ndërpritet menjëherë.
Haxholli, kërkoi nga partitë opozitare që bojkotin ta bëjnë përmes mjeteve demokratike, por nëse kjo nuk ndodh, ajo tha se kryetari i Kuvendit nuk duhet të tolerojë sjellje të tilla jo parlamentare, por duhet të merren masa.























