Kuvendi miraton me 117 vota kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ahmetajt
BKT
Shqipëri

Kuvendi miraton me 117 vota kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ahmetajt

ATSH

Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar me 117 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim që t’i hiqet imuniteti deputetit Arben Ahmetaj dhe në këtë mënyrë autorizoi SPAK-un që ta arrestojë dhe të kontrollojë banesën e tij.

Në seancën e posaçme të zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku u diskutua kërkesa e SPAK, ishin të pranishëm 120 deputetë.

Që në fillim, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, lexoi raportin përfundimtar të opozitës ku ndër të tjera tha se “Rama duhet të dorëzojë para drejtësisë Arben Ahmetajn, të kthejë paratë në buxhetin e shtetit dhe të vuajë dënimin për shërbimin që ka bërë ndaj Ramës”.

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Pëllumbi, i cili paraqiti në Kuvend raportin e shumicës, tha se “është vetëm gjykata, organi i vetëm që mund të marrë në shqyrtim, të çmojë dhe në fund të disponojë në lidhje me kërkesat e organit të prokurorisë gjatë hetimeve paraprake në rast se i gjen eventualisht të mbështetura në prova dhe në ligj”.

Tutje ai shtoi se është gjykata ajo që garanton respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë hallkat e procesit penal, si dhe procesin e rregullt ligjor, garancitë procedurale, kushtet dhe kriteret që parashikohen në ligjin procedural si dhe zbatimin e parimit të proporcionalitetit të masës së sigurimit me kërkesat dhe faktet që i paraqiten për gjykim.

 


MË SHUME NGA Shqipëri