Beqa: Në gjykatë e kam dhënë variantin real për përleshjen në Kuvend
E. Hoti / RTKlive
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka akuzuar qeverinë për dhunën e djeshme në Kuvendin e Kosovës. Ai tha në emisionin “Info Plus” të RTK-së se opozita, përfshirë edhe vetë atë që u bë pjesë e përleshjes, janë mbrojtur nga dhuna e qeverisë. Ai foli edhe për protestën e nesërme të mbështetur edhe nga veteranët, për të cilën tha se PDK akoma nuk është deklaruar.
Beqa është thirrur nga drejtësia për të deklaruar për dhunën e djeshme në Kuvendin e Kosovës.
“Besoj në gjykatë dhe e kam dhënë variantin real siç ka qenë situata. Unë jam shumë optimist se nëse dikush duke e parë Kushtetutën e Republikës së Kosovës edhe rregulloren e Kuvendit, nëse dikush ka bërë vepër penale, e sheh se ata janë Besnik Bislimi dhe Hekuran Murati dhe të tjerët që kanë ndihmuar të eskalojë situata. Kurse zoti Kurti ka qenë gjatë tërë ditës që të eskalojë situata në mënyrë që të mbulohen përgjimet”, deklaroi Beqa.
Deputeti opozitar që u përfshi në përleshje tha se të mbahet seancë sikur nuk ka ndodhur asgjë, kjo sipas tij, nuk do të tolerohet më.
“Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së vlerave të luftës, të mbrojtjes së Kushtetutës, të mbrojtjes së ligjit. Njëkohësisht ne e dënojmë dhunën në Kuvend. Dhuna nuk është për t’i zgjidhur problemet, por ne e kemi një pozitë e cila kur ishte në opozitë e sulmonte pushtetin dhe tani kur është në pushtet e sulmon opozitën”, konsideron Beqa.
Sipas tij rrahja e djeshme në Kuvend ishte e orkestruar dhe sinkronizuar nga mazhoranca aktuale për të fshehur dëmin që po i bëhet Kosovës.
Në pyetjen se a do ta mbështesë PDK protestën e nesërme të mbështetur edhe nga veteranët, ai tha se PDK ende nuk ka marrë ftesë nga organizatorët.
“PDK është parti institucionale dhe për të marr një vendim të tillë duhet t’i mbledhë organet drejtuese. Nuk kemi pasur ndonjë ftesë deri më tani dhe nuk jemi organizator, por duke i parë rrethanat në të cilat është duke shkuar vendi pas këtyre përgjimeve që kanë ndodhur, secili qytetar që ndihet i fyer duhet ta përkrahë këtë protestë”, deklaroi Beqa në “Info Plus” të RTK-së.























