Kurti takon deputetët belgë, konfirmohet mbështetja për Kosovën
BKT
Lajme

Kurti takon deputetët belgë, konfirmohet mbështetja për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe deputetin, njëherësh udhëheqësin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni priti në takim një delegacion përfaqësues të Parlamentit Federal të Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga deputeti Theo Francken.

Sipas njoftimit, temat që u diskutuan në këtë takim ishin prezenca e delegacionit të Kuvendit të Republikës sonë në Asamblenë e NATO-s, bashkëpunimi bilateral ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Belgjikës dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

“Deputetët belgë konfirmuan mbështetjen e Belgjikës ndaj Kosovës sidomos në proceset integruese në mekanizmat e BE-së dhe NATO-s”, thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri Kurti falënderoi delegacionin belg për vizitën dhe mbështetjen e tyre dhënë Kosovës dhe të shtetit belg që në vazhdimësi ka përkrahur Kosovën në gjitha fazat e shtetndërtimin dhe zhvillimit.

“Ai i njoftoi ata me punën e institucioneve, arritjet e qeverisjes, përparimin demokratik, ekonomik dhe në sundim të ligjit, si dhe vëmendjen që qeveria i ka dhënë fushës së mbrojtjes dhe mekanizmave të sigurisë përmes ndarjeve buxhetore në dy vitet e fundit”, thuhet më tej në njoftim.

Më tej Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim gjithashtu është diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në veri dhe për dakordimin e arritur në fillim të kësaj javë për hapat drejt depërshkallëzimit të plotë të situatës atje.

Deputetët belgë sot janë takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës , Glauk Konjufca.


MË SHUME NGA Lajme