Pishat e Sllatinës nuk po mirëmbahen, ankohen qytetarët|Video
BKT
Lajme

Pishat e Sllatinës nuk po mirëmbahen, ankohen qytetarët|Video

Qendresa Duraku / RTK

Disa kilometra larg kryeqytetit, te parku rekreativ i Pishave të Sllatinës të Fushë Kosovës, mungon mirëmbajtja e përhershme e hapësirave. Qytetarët e fajësojnë komunën që nuk po e mirëmban parkun, e zyrtarët komunalë thonë se janë qytetarët ata që po i hedhin mbeturinat vend e pa vend.

Parku “Pishat e Sllatinës” në komunën e Fushë Kosovës, së fundmi ngjason më shumë me një deponi mbeturinash sesa park rekreativ.

Qytetarët të cilët vazhdimisht e frekuentojnë këtë pjesë, shprehen të indinjuar nga këto pamje që shohin çdo ditë.

"Bërlloku është deri në fyt. Me dal kryetari i komunës, apo komuna me traktor e me heq. Marre. Po më shkon mendja vetë me marrë një traktor me pagu. Më shumë se një muaj është kjo gjendje", tha Adem Uka, qytetar.

"Pastërtia nuk është në nivelin e duhur, interesimi i kompanisë e cila menaxhon nuk është në nivel. Mund të jetë edhe më mirë, shpesh herë qytetarët janë të zhgënjyer mirëpo, edhe qytetarët fajësohen se nuk janë të kujdesshëm t'i qesin në vendin e duhur, por edhe mbeturinat t'i marrin me vete t'i hedhin në vendin e caktuar", u shpreh Ramadan Çerkini, qytetar.

"Vendi shumë i bukur por mbeturina ka në çdo cep. Kjo është moskujdesi i njerëzve tanë", tha Shqipërim Brahimi, qytetar.

Për zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës, faji është i qytetarëve. 

Zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli tha se pastrimi i këtij parku bëhët çdo pesë ditë.

“Ekipi e një orar. Dhe në çdo 5 ditë të punës del nëpër terren për të bërë pastrimin e ambientit dhe dita e martë është definitivisht për kompleksin e pishave për atë pjesë atje. Por është numri i madh i vizitorëve edhe i pushuesve që po e frekuentojnë dhe që nuk po e mirëmbajnë edhe vetë ata. Thënë të drejtën se bashkë e marrim përgjegjësinë por jo krejt si institucion por edhe qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm", tha Topalli.

Topalli bëri të ditur se me shtimin e numrit të mërgimtarëve, komuna e Fushë Kosovës po bën përpjekje që ekipet e pastrimit të jenë prezentë dy herë në javë gjatë sezonit të verës.


MË SHUME NGA Lajme