Analistët: Mospjesëmarrja e Kurtit në takimin në Tiranë thellon izolimin
BKT
Lajme

Analistët: Mospjesëmarrja e Kurtit në takimin në Tiranë thellon izolimin

Albana Bajrami / Radio Kosova

Për mospjesëmarrjen e kryeministrit, Albin Kurti në takimin informal me krerët e rajonit në Tiranë, lidhur me Procesin e Berlinit, analistët në Kosovë, thonë se kjo e thellon izolimin dhe çdo arsyetim është naiv. Ata theksojnë se takimet në Tiranë dhe në Greqi, janë të pakrahasueshme për nga pesha dhe rëndësia politike.

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë, thonë se mospjesëmarrja e kryeministrit, Albin Kurti në Tiranë, ku do të mbahet takimi me liderët e rajonit dhe komisionarin për Zgjerim në Bashkimin Evropian Oliver Varhely, lidhur me Procesin e Berlinit, ishte e pritshme, duke ditur edhe raportin e tij kohët e fundit me kryeministrin Edi Rama. Por, sipas, analistit, Artan Muhaxhiri, ky akt i vet-përjashtimit është zhgënjyes, pasi bëhet fjalë për një proces jetik për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Transformimi i konfliktit mes kryeministrit, Kurti dhe kryeministrit, Rama në nivel të bashkëpunimit evropian, e dëmton Kosovën, sepse e thellon izolimin dhe çdo arsyetim për mospjesëmarrje është naiv. Takimet në Tiranë dhe në Greqi, janë të pakrahasueshme për nga pesha dhe rëndësia politike. Çdo mungesë e Kosovës në këtë projekt do të ketë pasoja afatgjate e të dëmshme për integrimin e Kosovës në BE. Nëse Kosova nuk është më pjesë përbërëse e Procesit të Berlinit, kjo do të nënkuptojë vonesa të mëdha në proceset evropiane. Prandaj, është e dëmshme kjo ide dhe qasje e qeverisë Kurti, që për shkak të problemeve me kryeministrin Rama ta dëmtoj veten në mospërfshirjen e plotë në procesin e Berlinit”, thotë Muhaxhiri.

Ndërkohë, Arta Tahiri, politologe tha për Radio Kosovën se nuk duhet mohuar që mos takimet e fundit të kryeministrit, Kurti me kryeministrin, Rama, domosdoshmërish do të sillnin që të mos shkonte Kurti në Tiranë, pasi kjo është vetëm parapërgatitje për procesin e Berlinit.

“Në fakt e kam pritur që Kurti të mos jetë prezent, sepse e gjithë situata e krijuar muajt e fundit ndërmjet Kurtit dhe Ramës me njëri-tjetrin, do të sillte një mos takim dhe nuk e di se si mund të vinte përfundimi kur në tetor do të jetë edhe takimi për Procesin e Berlinit, ku ky takim nuk është vetëm ndërmjet Kurtit e Ramës, por edhe me të gjitha vendet e Ballkanit. Ri-aktivizimi i Procesit të Berlinit, besoj që është një sinjal që Kurti duhet të delegohet te Edi Rama, për të kuptuar që “Ballkani i Hapur”, ishte një dështim dhe të jetë patjetër pjesë e këtij takimi, pasi nuk ka të bëjë më me interesa personale, por për interesa të qytetarëve të Kosovës”, tha Tahiri.

Njohësit e çështjeve politike, theksuan se Procesi i Berlinit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, pasi është një rrugë e legjitimuar nga vet BE-ja, për lehtësimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Në Samitin e Procesit të Berlinit vitin e kaluar, u nënshkruan tre marrëveshje rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor: Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor; Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor; Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore, – të cilat do t’i shërbejnë forcimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.


MË SHUME NGA Lajme