Nisin reduktimet me ujë të pijes në disa lagje të kryeqytetit
Edona Podvorica/RTK
Në disa lagje të Prishtinës, kanë filluar reduktimet e ujit të pijshëm, si pasojë e keqpërdorimeve. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nga e mërkura, ekipet do të fillojnë shkyçjen e borxhlinjve të mëdhenj.
Me kova të tilla ujit kopshtin Rafet Jashari, banor i lagjes Veternik në Prishtinë. Sipas tij, ka vite që ai dhe të tjerët përballen me presion të ulët të ujit dhe reduktime të ashpra. Ujë kanë kryesisht në orët e vona të natës, prandaj kanë instaluar rezervuarë.
Me vite, banorët vuajnë pasojat e infrastrukturës së dobët të ujësjellësit. Hafije Azemi tregon se uji që u shkon pas orës 3 të mëngjesit, nuk i përmbush nevojat 24-orëshe që kanë si familje.
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, njoftoi se tashmë në disa lagje kanë filluar reduktimet e ujit për shkak të keqpërdorimeve të mëdha.
Ndërkohë, impiantet e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Albaniku, Shkabaj e Badoci, janë duke funksionuar në kapacitete maksimale e niveli i ujit ka rënë 15 centimetra.
E nga e mërkurë do të rifillojë aksioni i ekipeve për shkyçje të borxhlinjve të mëdhenj.























