Escobar: Serbia bartë pasoja nëse nuk mban zotimin për zgjedhjet në veri
E. Hoti / RTKlive
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka raportuar në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Escobar ka thënë se në shkurt dhe mars, Bashkimi Evropian me mbështetjen e SHBA-së ka arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe një aneks të zbatimit.
Gabriel Escobar, ka theksuar se të dyja vendet duhet t’i përmbushin obligimet e marra nga kjo marrëveshje.
“Marrëveshja e fundit sidomos ajo e Ohrit ofron një mundësi të pabesueshme për të dyja vendet për krijimin e një marrëdhënie paqësore dhe afatgjate për të hapur derën drejt rrugëtimit evropian. Marrëveshja i kërkon Serbisë që të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial, të pranojë simbolet shtetërore, dokumentet qeveritare, pasaportat, letërnjoftimet dhe që të mbahet nga bllokimi i integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare".
Escobar ka thënë se nga ana kosovare kërkohet që të implementojë obligimet ekzistuese për themelimin Asociacionit të komunave më shumicë serbe.
"Ne besojmë që të dyja vendet duhet që menjëherë të angazhohen pa parakushte. Të dyja vendet duhet të fillojnë procesin e pjesës së tyre të obligimeve. Pra, ne përkushtohemi që të dyja vendet të marrin parasysh obligimet ekzistuese dhe të ecin sa më shpejtë që është e mundur. Po shpresojmë që do të arrijmë progres të konsiderueshëm këtë vit në këtë drejtim”, ka theksuar ai.
I dërguari i SHBA-së, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.
“Ne kemi qenë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushteve që kërkojnë për pjesëmarrje në zgjedhje. Kemi marrë zotimin që ata do të marrin pjesë në zgjedhje dhe ka pasoja nëse kjo nuk zbatohet”, ka thënë ai.
Escobar ka theksuar se janë inkurajuar të dyja palët që t’i përmbushin obligimet e marra në marrëveshjen e nënshkruar.
Escobar: Jemi të brengosur me mungesën e përafrimit të Kosovës me SHBA-të
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se janë të brengosur me mungesën e përafrimit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe komunitetin transatlantik.
Escobar ka theksuar se në mënyrë aktive janë duke u përpjekur të bindin Qeverinë e Kosovës që të shohë ShBA-të si partner primar. Ai ka shtuar se përafrimi me Shtetet e Bashkuara i sjell dobi Kosovës, nuk e hedh jashtë nga aspiratat e veta.
“I kemi bërë kërkesat tona në mënyrë shumë të qartë, shumë të zëshme.BE në anën e tyre, ka vendosur pasoja, e edhe ne. Ne e kemi tërhequr Kosovën nga një ushtrim shumë i madh ndërkombëtar ushtarak si reagim ndaj kësaj dhe kërkojmë mënyra të tjera të partneritetit me një prej aleatëve tanë më të afërt në rajon. Më duhet të them që jemi të brengosur me mungesën e përafrimit, jo vetëm me SHBA-të por me të gjithë komunitetin transatlantik dhe kjo përfshinë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, NATO-n, QUINT-in, fqinjët dhe Maqedoninë e Veriut. Prap po kërkojmë në mënyrë aktive, mënyra me të cilat mund ta bindim qeverinë që të shohë Shtetet e Bashkuara si partner primar në rajon”, ka thënë Escobar.
Escobar: Rusia mbetet kërcënim serioz për sigurinë rajonale
Duke folur për rajonin, Escobar ka thënë se pengesat janë mjaft të mëdha, progresi i ndalur në demokratizim, korrupsioni, varësia energjetike nga Rusia, politikat etnonacionaliste, dezinformimi i dëmshëm janë vetëm disa prej sfidave, por që, sipas tij, nuk janë të patejkalueshme.
Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.
“Rusia mbetet ofrues ekskluziv i gazit natyror për disa vende të Ballkanit Perëndimor, një kërcënim serioz për sigurinë rajonale. Teksa e zhvillon luftën kundër Ukrainës, Kremlini përhap dezinformata, shpesh përmes medieve në gjuhën serbe me qëllim të krijimit të ndasive dhe rritjes së tensioneve fetare dhe etnike.
Ai e ka përmendur edhe ndikimin që synon ta shtrijë Kina përmes investimeve. “Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar qëndrueshmëri kundër këtyre ndikimeve”, ka thënë mes tjerash Escobar.
Escobar: Dodiku kërcënim për gjithë rajonin
Escobar ka deklaruar se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.
“Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë Escobar.
Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.























