PDK-ja kërkon zgjedhje të përgjithshme të parakohshme
BKT
Lajme

PDK-ja kërkon zgjedhje të përgjithshme të parakohshme

Sh.Ç /RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur një takim të përbashkët në mes të Kryesisë së Partisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së.

Në komunikatën për media, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, respektivisht krizën politike e cila erdhi si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të fshehta të Qeverisë së Kosovës.

“Prishja e raporteve më miqtë ndërkombëtarë, vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës, bashkëpunimi me kriminelin Millan Radojçiq dhe Listën Serbe, takimet dhe vendimet e fshehta në dëm të interesit nacional – janë disa prej shkaktarëve të cilat kanë bërë që kjo Qeveri ta humbas tërësisht kredibilitetin e saj”, thuhet në komunikatë.

Gjatë këtij takimi, Krasniqi, Kryesia e Partisë, deputetët e Grupit Parlamentar, dënuan edhe një herë provokimin dhe dhunën e Qeverisë ndaj deputetëve të PDK-së, të shkaktuar në seancën e Kuvendit, të enjten më 13 korrik.

Sipas Krasniqi, i gjithë ky orkestrim i Qeverisë ndodhi për të tërhequr vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet - koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Me këtë rast, Kryetari Krasniqi, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetët e Grupit Parlamentar, njëzëri kërkuan zbardhjen e të vërtetës e cila fshihet prapa përgjimeve të cilat dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të Qeverisë Kurti me Radojçiqin dhe Listën Serbe.  PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht”, thuhet më tutje.

Sipas komunikatës, PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të tregoj se çfarë po ndodhë edhe me situatën në pjesën veriore të Kosovës. Pse lëshoi pe Qeveria dhe pranoi të tërhiqet nga pjesa veriore, pas disa muajve të tensionit dhe detyrimit të aleatëve tanë që t’i vënë sanksione Kosovës? Pse u liruan kriminelët serbë të arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it?

PDK-ja ka përsëritur se duhet të shkohet në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. “PDK do të përcjellë zhvillimet e ardhshme me vëmendje të plotë dhe, karshi këtyre zhvillimeve, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion që të ndalojë shkatërrimin e së ardhmes së shtetit të Kosovës, të ruaj interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e PDK-së.


MË SHUME NGA Lajme