Kurti: Kosova bën hapin përfundimtar për anëtarësim në ICMP
BKT
Lajme

Kurti: Kosova bën hapin përfundimtar për anëtarësim në ICMP

N.M. /RTKlive

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha sot se dorëzimi i instrumenteve për aderim shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), si e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

“Sot, derisa përkujtojmë Masakrën e Rahovecit, nga e cila ende i kemi 11 persona të zhdukur, përkujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhduken me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai tha se çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Ky anëtarësim, sipas tij, është edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzuan instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në selinë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare në Hagë.

Jemi mirënjohës për angazhimin dhe mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Kosovë. Shteti ynë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, tanimë ka një histori të gjatë të bashkëpunimit me ICMP. Ky aderim, do të jetë një rritje e këtij bashkëpunimi”, shkruan tutje Kurti.

Ai, falënderoi Qeverinë e Mbretërisë së Holandës për rolin konstruktiv, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

“Kapacitetet tona institucionale e profesionale, përmes edhe angazhimit si anëtar në ICMP, do të jenë në shërbim të paqes dhe të adresimit të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën kudo”, ka shkruar Kurti në Facebook.


MË SHUME NGA Lajme