Hoti: Raportimi në Kuvend, obligim kushtetues
N.M. /RTKlive
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk është hera e parë që kryenegociatori i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, nuk raporton në komisione të Kuvendit.
Hoti, në një postim në Facebook, theksoi se raportimi i Qeverisë në Kuvend për dialogun nuk është në vullnetin e saj, por është obligim kushtetues dhe se kësaj përgjegjësie nuk mund t’i iket.
“Është për keqardhje degradimi i dialogut nga takimet e nivelit më të lartë në Uashington e Bruksel për “Marrëveshje finale, ligjërisht e obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, në dialog nëpër hotele të plazheve, në Bratisllavë e në Ohër për marrëveshje të ndërmjetme që e lënë problemin hapur për dhjetë vitet e ardhshme”, ka shkruar Hoti.
Përndryshe sot ka dështuar mbledhja e Komisioni për Integrime Evropiane, për shkak se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nuk ka shkuar të raportojë në këtë komision për masat e BE-së për Kosovën.
Deri sa këshilltari i zëvendëskryeministrit, Klisman Kadiu, ka thënë se arsyeja e mosmbajtjes së mbledhjes së këtij komisioni, ishte mungesa e kuorumit, e jo mungesa e shefit të tij.























