Shqipëria legalizon kanabisin për çështje mjekësore e industriale
BKT
Shqipëri

Shqipëria legalizon kanabisin për çështje mjekësore e industriale

Ardiana Gashi/RTK

Në një seancë maratonë që zgjati deri pas mesnatës dhe mes debateve dhe tensioneve, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Projektligjin për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një projektligj për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Projektligji specifikon një sërë kriteresh që duhet të plotësojnë ata që duan të marrin leje për rritjen e bimës, si dhe sanksione në rast shkeljesh të mundshme.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha për mediet shqiptare në qershor se ky Projektligj përcakton kuadrin rregullator se si do të kontrollohet kultivimi dhe përpunimi i kësaj bime, si dhe prodhimi i nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Sipas saj, qëllimi i këtij projektligji është rregullimi dhe sigurimi i kontrollit dhe monitorimit të procesit të kultivimit, prodhimit, përpunimit dhe eksportit të kanabisit.

Që kur u miratua nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë në mes të qershorit, Projektligji për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale ka shkaktuar reagime të ndryshme. Më parë këtë muaj, ish-presidenti i Shqipërisë dhe kreu i Partisë së Lirisë në opozitë, Ilir Meta, tha se Projektligji do të nënkuptonte "legalizimin de facto të trafikut të drogës" në Shqipëri.

Diskutimi i Projektligjit për kanabisin në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua edhe me debate, pasi opozita deklaroi se nuk ka asnjë studim sesi rreziku dhe pasojat sociale, shëndetësore, kriminale dhe pasojat e përdorimit të marijuanës do të ndikonin në ekonominë shqiptare.


MË SHUME NGA Shqipëri