Ministria e Bujqësisë në Bruksel diskuton kapitullin për sigurinë ushqimore
ATSH
Harmonizimi i legjislacionit vendas me atë acquis të BE-së (baza ligjore e BE-së) vijon punën me procesin “Screening” në bashkëpunim me Komisionin Evropian, me qëllim të zhvilluar një bujqësi të qëndrueshme dhe më afër standardeve evropiane.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë bën të ditur se, janë zhvilluar në Bruksel takime vjetore mbi kapitullin 12 “Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve” me fokus në shpjegimin e legjislacionit të përditësuar të Bashkimit Evropian, politikat koherente evropiane mbi politikat e përbashkëta evropiane, organizmin e përbashkët të tregut, mekanizmat e tregut dhe grumbullimin e të dhënave.
Në ditën e parë të këtij takimi në Bruksel, u diskutua për harmonizimin legjislativ të sektorit të sigurisë ushqimore, ku merrnin pjesë përfaqësues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Drejtoresha e Përgjithshme Jeta Deda.
Gjatë takimit pati ndërveprime pozitive në lidhje me mbetjet, aditivët, materialet në kontakt me ushqimin dhe kontaminantët. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe masave të kontrollit të importit për sëmundjet e kafshëve, tregun e produkteve me origjinë shtazore, si dhe sistemin e kontrollit në tregun e brendshëm.
Në takimet e nivelit teknik me ekspertët e linjës, është shprehur mbështetje nga Komisioni Evropian për forcimin e kapaciteteve, si dhe propozimeve të mundshme bilaterale për nxitjen e integrimit të përshpejtuar.























